11 persona humbin jetën, 4 nuk gjenden, Italia jep 5 milionë euro për përmbytjet

2 javë më parë
11 persona humbin jetën, 4 nuk gjenden, Italia jep 5 milionë euro për përmbytjet

Italia është përfshirë nga moti i keq me stuhi që ka shkaktuar përmbytje në pjesën qendrore të vendit. 11 persona kanë humbur jeten dhe 4 të tjerë nuk janë gjendur si pasojë e përmbytjeve të mëdha në vend.

Ndërkohë, 50 persona raportohet se kanë mbetur të lëndruar dhe janë në spitalet rajonale. Si rrjedhojë kryeministri italian, Mario Draghi, njoftoi më herët se qeveria e tij do të vendosë në dispozicion pesë milionë euro për të mbështetur të prekurit nga përmbytjet në Italinë qendrore.

“I falënderoj sinqerisht të gjithë, nga Mbrojtja Civile te zjarrfikësit dhe vullnetarët”, tha Draghi, i cili aktualisht po udhëton në rajonin e Marche për të parë nga afër shkallën e dëmit.

Kujtojmë se mes 4  të humburëve është edhe një fëmijë në Barbara, një nga komunat e provincës së Ankonës. Djali i vogël ndodhej me nënën e tij në makinë e cila u bllokua nga ujë.

Gruaja doli nga makina me foshnjën e saj, por duket që vërshimet e ujit i ka ndarë. Zjarrfikësit kanë shpëtuar nënën gjatë natës, por për foshnjën nuk ka ende asnjë gjurmë.

Pamjet e publikuara në mediat vendase tregojnë rrugë të përmbytura, automjete të mbuluara thuajse totalish nga uji dhe katet e para të banesave të pa aksesueshme si pasojë e reshjeve të dendura.

Bashkia e Cantiano, një qytet me pak më shumë se 2 mijë banorë, ishte zona që u godit më shumë nga përmbytjet, pasi shirat e dendur kthyen rrugët në përrenj të vërtetë, duke tërhequr zvarrë makinat.

Lumi Misa në Sinnigalia doli nga shtrati. Ura u bë e pakalushme pasi ranë disa pemë. Në fshatin e përmbytur Candiano uji ka mbërritur në katin e parë të banesave, ndërsa është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe lidhjet telefonike.

Autoritetet u bënë apel banorëve që të mos dalin nga shtëpia dhe të mos përdorin makina. Kreu i emergjencave bëri të ditur se për dy orë në provincën e Ankonës ra 400 mm shi, gjysma e totalit të reshjeve që bie zakonisht në një vit në atë zonë. Autoritetet kanë bërë të ditur se shkollat në pjesën qendrore të vendit fqinj do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë./abcnews.al/