Rama paralajmëron fëmijët për librat: Kush gris faqe, do ketë probleme

7 muaj më parë
Rama paralajmëron fëmijët për librat: Kush gris faqe, do ketë probleme

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e prezantimit të Abetares së përbashkët Shipëri-Kosovë paralajmëroi sanksione për fëmijët që dëmtojnë librat dhe nuk do t’i respektojnë ata.

Ai u shpreh se librat që kalojnë dorë më dorë për tre vite, nuk janë çështje parash, por kulture. Fëmijët, sipas Ramës duhet të respektojnë librat dhe t’i ndajnë me shokët e në këtë mënyrë të edukohen edhe për ndarjen e vlerave.

“Libri duhet të jetojë edhe përtej kohës që të duhet ty për ta mësuar. Është e rëndësishme që këtë gjë ta shpjegojnë dhe mësuesit për fëmijët dhe mësuesit, dhe mbase duhet përcaktuar një rregull se ata që librat i dorëzojnë në gjendje që nuk mund të përdoren më, në vitin tjetër t’i blejnë librat, mos t’i marrin më falas.

Nuk bëhet fjalë për shumicën, ata bëjnë gjënë e duhur, por për atë pakicë që nuk e bënë këtë duhet të ketë dhe një sanksion”, tha kryeministri.  Ai shoqërohej nga ministrat e arsimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Abetarja u realizua nga një grup punë Shqipëri-Kosovë, por Maqedonia e Veriut së fundmi deklaroi se do të shfrytëzojë po të njëjtin libër në shkollat ku flitet shqip. Një nismë e mirë kjo e ndërmarrë nga të gjithë.

Edhe në një ditë të bukur, kur prezantohet Abetarja e përbashkët, Rama nuk mund të fokusohet tek aspektet pozitive të të përçuarit të një mesazhi, por vetëm tek dënimet dhe sanksionet e ka mendjen! S’kanë faj fëmijët e shkretë që kur i pyesin për të ardhmen, 100% (të gjithë pa përjashtim) të thonë që duan të ikin nga Shqipëria!