“Ëndërtjerrësit” ishte emisioni në Top Channel që solli në kujtesë personat që kanë kontribuar për ta ngritur si emision. Në një nga episodet pati në fokus spektaklin më të dashur të humorit, “Portokalli”. Kjo mbrëmje bashkoi për herë të parë ata që e kanë bërë këtë emision për 20 vite e natyrisht nuk mund të mungonte Agron Llakaj.
Agron Llakaj ishte një ndër të parët që ishte pjesë e këtij formati dhe pioneri i tij. Ai u shpreh për rëndësinë e madhe që “Portokallia” kishte në atë kohë. Llakaj tha se “Portokallia” u kthye në epidemi brenda pak javësh.
Ai kujtoi se u bë spektakli më i dashur i të gjithë shqiptarëve dhe se biletat shiteshin dy muaj para, pasi të gjithë donin të shikonin live aktorët. Agron Llakaj tregoi gjithashtu momentin kur themeluesi i Top Media-s, Dritan Hoxha i kishte thënë për idenë e krijimit të një show kabaret.
Në janar të vitit 2003 Tani më ka takuar në Sarandë, kam qenë në një nga netët e ndërrimit të viteve. Më tha se ka një ide. Ideja ishte për të bërë një show kabaret. Ideja ishte tamam një lloj çmendurie se për ne ishte e panjohur.
“Unë vija nga bota e kabaretit, por kjo ide siç e kishte Tani nuk imagjinohej. Nisi me një program testues në “Top Show” si fillim. Agron Llakaj tregoi se si erdhi emri për spektaklin humoristik dhe që më pas ngjiti:
“Emri erdhi nga ngjyra portokalli e semaforit, edhe shprehja kemi ngel në semafor, në bazë të gjendjes së Shqipërisë. Ndërtuam tavolinën e përbashkët, ishte një frymë e tillë, që u kthye në epidemi, nuk kishte më mundësi të menaxhoheshin biletat, 10 mijë lek çmimi në atë kohë, ajo sallë merrte 120 veta, i thosha që ul çmimin e biletës”.