Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, King-Smith, u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të mos largohen nga vendi. Sipas tij, brezi i ri duhet të ndjekë shkollën dhe jo gomonen.
Në fjalën e tij që mbajti në panelin e Kongresit Kombëtar të Arsimit në Tiranë, ambasadori King-Smith foli për të rinjtë që udhëtojnë me gomone apo rrugë të tjera transporti drejt Britanisë së Madhe.
Ai u shpreh se këto janë mënyra të papershtatshme dhe të mos bien pre e shfrytëzimit nga njerez te tjere, shqiptarë apo të huaj, për pasurim të menjëhershëm.
Diplomati britanik bëri me dije se shumë shpejt Britania e Madhe do të financojë një program në Shqipëri për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve dhe për t’u dhënë atyre aftësitë e tregut të punës.
“Shumë të rinj largohen nga Shqipëria. Këta të rinj shfrytëzohen, por ne i nxisim që të ndalojnë. Premtimet e pasurisë së shpejtë janë gënjeshtra pasi do detyrohen të përfshihen në aktivitete të këqija. Ju bëj thirrje të rinjve që mos të udhëtojnë me gomone. Rruga drejt suksesit nuk varet nga gomonet, varet nga arsimi dhe puna e palodhur”.
“Nuk mjafton që të japim argumente intelektuale. Ndaj ne do lançojmë një program për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve që t’u japim aftësitë që kërkon tregu i punës”, tha Alastair King-Smith. Ambasadori i Britanisë së Madhe bëri thirrje edhe për krijimin e mundësive më të mira arsimore për fëmijët e zonave të thella.
“Këtu kemi komunitet në zona rurale malore të thella. Por kemi edhe komunitetet të disavantazhuara në qytete që përballen me rrethana të vështira, duke shkaktuar ose braktisjen e shkollës ose mosfrekuentimin e shpeshtë të saj. Të sigurohemi që ne ju japim fëmijëve kohën edhe mundësinë për të shkuar në shkollë”.