Armando Sadikut i vjen oferta e radhës, e kërkon klubi me stadiumin më të vjetër

8 muaj më parë
Armando Sadikut i vjen oferta e radhës, e kërkon klubi me stadiumin më të vjetër

Armando Sadiku shënoi gjashtë gola me Las Palmas në sezonin e fundit, ekip me të cilin luajti në duelet “play-off” për t’u ngjitur në La Liga. Objektivi nuk u arrit, ndërkohë që sulmuesi nga Elbasani del lojtar i lirë më 1 korrik.

31-vjeçari filloi të shënonte dhe arriti një formë të mirë në fundin e sezonit, drejtuesit e Las Palmas i ofruan rinovimin, por deri tani nuk ka asnjë akord. Gjithsesi, lojtari i kombëtares shqiptare mund të vijojë të qëndrojë në La Liga 2.

Onda Cero shkruan se për Sadikun ka interesim nga Sporting Gijon. Emri i lojtarit shqiptar ndodhet në krye të listës së dëshirave të Javi Rico, drejtorit sportiv të klubit asturian.

Gijon ka ambicie të rikthehet në elitën e futbollit spanjoll. Sezoni i fundit ishte për t’u harruar, djemtë e Abelardos u renditën në vend të 17-të, ndërsa drejtuesit po punojnë për të përforcuar skuadrën.

Nëse gjendet gjuha e përbashkët, Sadiku do të luajë prej sezonit të ardhshëm në “El Molinon”, stadiumin më të vjetër në Spanjë, në përdorim që nga viti 1908.

Gjithsesi jemi ende në fillim të merkatos dhe ndoshta deri në fund mund të kemi oferta të tjera më interesante për elbasanasin. Me siguri dihet që do qëndrojë sërish në Spanjë edhe për sezonin e ri.