Braktisi grumbullimin me dardanët se e kërkon Suedia, 22-vjeçari na habit: Kosovën e kam në zemër

1 vit më parë
Braktisi grumbullimin me dardanët se e kërkon Suedia, 22-vjeçari na habit: Kosovën e kam në zemër

Edvin Kurtulus, i cili deri së voni ishte kapiten i Kosovës U21, gjatë ditëve të fundit ia ka kumtuar përzgjedhësit të Kosovës, Giresse, dëshirën për t’iu bashkuar Suedisë. Kësisoj, ai në momentet e fundit refuzoi ftesën për t’iu bashkuar ekipit kombëtar për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor.

Lajmin se ai dëshiron ta braktisë Kosovën gazeta Nacionale e publikoi që herët sot në mëngjes. Ai para pak çastesh ka dhënë edhe prononcimin e parë për mediat suedeze.

“Për shkak të gjithë atyre gjërave që po qarkullojnë në media pas vendimit tim rreth cilës kombëtare vendosa ta përfaqësoj, dua vetëm të them që ndihem krenar që Kosova më dëshiron te Kombëtarja A e tyre, por në fund më përket mua ta bëj një zgjedhje. Kam nderin t’i dua dy vendet, por kam edhe përgjegjësinë ta marr një vendim, i cili thellësisht do të shihet si i drejtë.

“Për mua si Suedia, ashtu edhe Kosova – bëjnë pjesë në zemrën time. Meqë kam lindur dhe jam rritur në Suedi, është e rrugës që ta përfaqësoj atë. Kam pasur disa biseda të ndryshme me përzgjedhësin Janne Andersson dhe shpresoj që t’i definoj të gjitha procedurat për t’u bërë zyrtarisht lojtar i Kombëtares A të Suedisë. Praktikat burokratike janë në procedim e sipër dhe shpresoj që gjithçka të ecën shpejt dhe pa pengesa, në mënyrë që të mund t’i bashkohem grumbullimit të radhës”, theksoi Edvin Kurtulus.

Edvin Kurtulus idetë po kaq të njëjta nuk i kishte edhe para një viti, kur gjithmonë për shtypin suedez deklaronte se krenarisht e kishte refuzuar ftesën nga Kombëtarja U21 e Suedisë për të qëndruar te Kosova. Edhe postimet e tij të pafundme në rrjetet sociale se ishte nder ta veshte fanellën e Kosovës, dhanë shije të hidhur kur sot tifozët kosovarë ia rikujtonin.

Ai nga nervoza vendosi që t’i fshehë komentet e shumta që u adresuan drejt tij në rrjetin social Instagram, ku nuk munguan edhe ofendimet nga një mori shtetasish kosovarë, të cilët e akuzonin Kurtulusin për dezërtim dhe tinëzari. Kombëtarja e Kosovës vendosi që t’ia lehtësojë procedurat burokratike, pa i vënë pengesa, pasi të dy federatat kanë instaluar raporte të shëndosha ndër vite./nacionale