Çfarë t’u uroj fëmijëve për ditën e parë të shkollës? “Mori thasët e miellit dhe bëri lekët për Angli, Fabio vetëm 16 vjeç”

2 javë më parë
Çfarë t’u uroj fëmijëve për ditën e parë të shkollës? “Mori thasët e miellit dhe bëri lekët për Angli, Fabio vetëm 16 vjeç”

Nga Esmeralda Keta – Teksa po bëja gati fëmijët e mi për ditën e parë të shkollës, m’u kujtua Fabio, djali i kushëririt. Në qershor Fabio mbushi 16-vjec dhe këtë shtator duhet të ishte në vitin e dytë në gjimnaz, por vetëm pak ditë më parë ai mbërriti në Angli. Si mijëra të rinj shqiptarë!

Aq e pamundur ishte t’ia ktheje mendjen, sa gjatë muajve të verës, Fabio, vetëm 16-vjec, ia shtroi kurrizin e paformuar ende, thasëve të miellit. Zgjodhi, pa dëshirën e prindërve, të punojë në një fabrikë mielli, si punëtor në ngarkim – shkarkim.

“E bëj që të jem mësuar me punën e rëndë kur të shkoj andej”- thoshte Fabio. Shokët e tij të lagjes kanë ikur krejt, ndërsa nxënësit nëpër shkolla janë përgjysmuar thuajse në çdo qytet.

Madje në Burrel, ku edhe jetojnë prindërit e mi, gjatë gjithë gushtit funksiononte një linjë furgoni, që mbushej direkt nga Burreli dhe i conte në Francë. Që aty, i ngarkonin në gomone për në Angli. Unë nuk e di se cila është ëndërra që po i josh ende shqiptarët, por një gjë është e sigurtë: ky vend po braktiset.

Të rinj, familje të reja po ngarkojnë fëmijët dhe plackat në krahë dhe po ikin të gjithë. Cfarë i kemi bërë këtij vendi që të gjithë duan t’ia mbathin? Është koha për reflektim! Ah sikur këta të rinj të ulen mbi libra me të njëjtën këmbëngulje që e përgatisin veten për të ikur larg këtij vendi.

Teksa bëj gati librat e fëmijëve më vijnë ndërmend edhe sytë e gjyshes së Fabios, që janë të përmbytur nga lotët. Gjyshet tona të vuajtura! Ajo thotë se është sëmurë, por të gjithë e dinë se “sëmundja” e saj lidhet me largimin e Fabios.

Pasi përcolli jashtë dy djemtë e saj para 30 vitesh, sot sërish i duhet të lërë të ikë nipin, edhe më të vogël se dy djemtë e saj kur ikën. Unë nuk dua që ti rris fëmijët e mi për t’i dërguar jashtë! Këta të rinj, ky vend, duhet shpëtuar!