Çifti amerikan refuzon muajin e mjaltit: Duam të shërbejmë në Korçë

3 muaj më parë
Çifti amerikan refuzon muajin e mjaltit: Duam të shërbejmë në Korçë

Të gjithë çiftet e reja pas martesës shkojnë për muaj mjalti, por ky nuk është rasti i çiftit amerikan Matt dhe Brina. Përpara një jave ata patën ditën më të lumtur të jetës, duke kurorëzuar dashurinë e tyre. 4 orë pas martesës ata ndryshuan mendje, duke mos shkuar në muaj mjalti, por vendosën të vijnë një javë në Shqipëri si vullnetarë me një organizatë në juglindje.

“Unë dhe Brina jemi pjesë e një grupimi humanitar në Amerikë dhe dëgjuam një mikeshën tonë, e cila na lajmëroi se do vinte në Shqipëri, ajo tregoi se ne duhet të njohim patjetër këtë vend sepse këtu ka shumë nevoja që duhen ndryshuar dhe e ndiejmë të dy të vijmë për një javë qëndruar afër me komunitetin, të mësojmë rreth jush sesa të shkojmë në një muaj mjalti”, u shpreh Matt Dornacker.

Ata tregojnë se kur lajmëruan miqtë e tyre për këtë vendim, ata nuk e besonin. “U befasuan. Ama kur mësuan se ku ishte Shqipëria, çfarë problemesh ka këtu me varfërinë e të tjera ata na mbështetën. Mua me duket sikur pas eksperiencës tonë miqtë e mi dhe familja jonë do duan të vijnë vet këtu, që ta ndiejnë nga afër dashurinë që ju jepni”, u shpreh Brina Book.

Po qëndrojnë për afro një javë në vendin tonë e ndihen të mahnitur nga mikpritja që u është bërë. “Kemi për më shumë se një javë që jemi këtu. Shqipëria është shumë vend i bukur, me e bukur nga çfarë pamë në internet, natyra, malet, fshatrat, njerëzit. Njerëzit janë kaq të dashur, kaq punëtorë. Ne i shohim kur punojnë nëpër toka, është inspiruese, ne nuk punojmë kaq shumë në Amerikë”, tha Brina Book.

Të pyetur nëse do të kthehen përsëri në Shqipëri, ata pa hezim përgjigjen: Patjetër, ne jemi besimtarë të krishterë dhe në bazë të besimit tonë na thuhet se ne duhet të duam njeri tjetrin por edhe ti shërbejmë atyre me mundësitë që ne kemi. Ndaj edhe unë dua të shkoj në Amerikë, të tregoj për atë cka pashe këtu dhe të rikthehem me më tepër mundësi të ndihmoj fëmijët, gratë, burrat e pleqtë që kam takuar. Patjetër që do rikthehem.

E mesa duket, çifti më i ri amerikan do të mbajë në kujtimet e tyre jo një muaj mjalti, por një muaj shqiptar plot në ndjenja reale të të shërbyerit e qenit human.