Çmimet “Grassroots” nga UEFA, Tirana United i dhuron medalje Shqipërisë

8 muaj më parë
Çmimet “Grassroots” nga UEFA, Tirana United i dhuron medalje Shqipërisë

UEFA prej shumë kohësh është fokusuar në futbollin e moshave dhe futbollin e femrave, duke u përpjekur të nxisë dhe përkrahë përmes federatave kombëtare nisma të ndryshme që janë novatore dhe e çojnë përpara sportin më të dashur në glob.

Shumë pak njerëz e dinë se për vitin 2021 pjesë e garës për iniciativën më të mirë sociale ka qenë edhe Shqipëria, e cila më në fund ka arritur të jetë pjesë e podiumit të një kompeticioni të UEFA-s. Projekti i Tirana United ja ka dalë të ngrejë lart emrin e Shqipërisë edhe në një “disiplinë” krejt të re për futbollin në Shqipëri.

Deri më tani asnjë informacion nuk është shpërndarë nga FSHF në lidhje me këtë arritje të komunitetit shqiptar të futbollit. Me sa duket institucionet shqiptare nuk na zhgënjejnë kurrë kur vjen fjala për neglizhencë dhe mospërkrahje të nismave sociale që kanë vërtetë ndikim në shoqëri.

Çmimet “Grassroots” nga UEFA, Tirana United i dhuron medalje Shqipërisë

Një nga mesazhet interesante të këtij çmimi është rëndësia e ndërgjegjësimit të komunitetit për nevojën e krijimit të një ekosistemi edukues për fëmijët në të gjitha rrafshet e jetës dhe për ta parë futbollin si një gurë të rëndësishëm kilometrik në edukimin e gjithanshëm të brezave.

Tirana United është një nismë e transformimit të komunitetit që ka ndihmuar në ndërtimin e një qendre të re sportive të përdorur nga familjet me probleme të rënda financiare dhe sociale.

Pavarësisht pandemisë, stafi dhe vullnetarët kanë krijuar një program futbolli bazë për të promovuar përfshirjen sociale dhe ekuilibrin gjinor, duke luftuar krimin dhe dhunën dhe duke krijuar një ndjenjë uniteti midis fëmijëve dhe të rinjve pjesëmarrës.

Një nismë që është vlerësuar me medaljen e bronzit në “Uefa Grassroots Awards” nga insititucioni më i lartë i futbollit europian.