C’punë ke ti me Noizy-n!?

1 muaj më parë
C’punë ke ti me Noizy-n!?

Nga Zefina Hasani

Çastin kulminant të ngritjes së kurorës, (që ishte një spektakël më vete brenda gjithë spektaklit), si dhe çdo çast tjetër të Alpha Show-t, që ata mijëra njerëz të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” e shijuan “live”të pozicionuar e të ekzaltuar, përpara skenës gjigande, unë i përjetova në prapaskenë. Aty kam preferuar të jem që në vitet e para kur nisa gazetarinë, e kur kuptova se detajet më interesante për të bërë një shkrim ndryshe, janë ato që ndodhin pas skenës, pra ato që nuk i shohin dot të gjithë. Aty kam vijuar të preferoj të rri edhe kur nisa angazhimin me produksione televizive e koncerte të mëdha, si sfida të reja, prej të cilave merr shumë eksperiencë. E pikërisht për këto arsye pranova të jem edhe në një festival si ky i Alpha Show-t.

C’punë ke ti me Noizy-n!?

Që të jem e sinqertë, në fillim nuk isha shumë e bindur nëse duhej të isha apo jo. Kur më ftuan, nuk hezitova t’ua thoja të vërtetën time ekipit dhe Noizy-t vetë, se unë s’kam shumë lidhje me këtë rrymë muzikore, se Noizy-n nuk e njihja shumë e se ai s’kish hyrë në shijet e mia, s’ia kisha dëgjuar këngët përveçse ndonjë bashkëpunimi siç është ai me Alban Skënderajn apo këto të fundit fare me Ylli Limanin, Loredanën e Xhensila Myrtezajn, që më kishin pëlqyer. Madje nuk ngurova t’u thosha as se kisha dhe nga ata të afërm e miq që po më thoshin: ç’punë ke ti me Noizy-n!?  e të cilët i dëgjoja pa pasur dot argumente të forta që t’i kundërshtoja.

Asnjëri nuk më pa vëngër Noizy vetë, i mësuar tashmë me mendimet pro e kundër e me paragjykimet e kontestimet ndaj tij, më tha se e vlerësonte sinqeritetin tim dhe se asgjë nga këto nuk do të na pengonte, që të bënim, megjithatë, një punë të mirë të gjithë bashkë, për një festival të hip- hop & rap, me përmasa ndërkombëtare, që ai donte ta bënte e ta kthente në një traditë që i mungon Shqipërisë, e që s’do t’i përkiste vetëm atij por të gjithë artistëve dhe adhuruesve të kësaj rryme muzikore.

Ndaj dilema m’u fashit prej intuitës që më dha sinjale pozitive, që në takimin e parë me të si edhe prej garancisë që më jepnin djemtë e studios kuadr.com, (Albi Çifligu e Kosta Gjylameti) të cilët kanë bërë punë fantastike në Tiranë.

Dhe ja kështu u gjenda në këtë ekip e në prapaskenës e këtij festivali. Kaluam ditë të mira e të vështira bashkë. Përjetuam me sportivitet stresin e shiut të së dielës që s’na la të bënim dot provat e domosdoshme, as edhe për ngritjen e kurorës dhe hyrjen e Noizy-t në skenë (pra momenti më i rëndësishëm i natës, ndodhi aty “live” për here të parë edhe për vetë ne ).

Më shumë se kurdo, u ndjeva krejt rehat në provat e vetme që u arritën të bëheshin, të shtunën e 13 gushtit, (pra një ditë para koncertit), kur dëgjova Noizy-n të këndonte “live”, deri dhe në nota të larta, pa stonuar, i shoqëruar me një band live. Vlerësova këmbënguljen e tij për të ardhur, për herë të parë, në gjithë karrierën e tij artistike, “live”, në respekt të gjithë asaj audience të madhe, që do të mblidhej për këtë koncert. U surprizova nga gjithë angazhimet që ai merrte vetë përsipër, në çdo detaj e në çdo moment deri në fund, pa arrogancë e me shumë profesionalizëm në marrëdhënien me të gjithë, deri dhe te teknikët e sanitarët e skenës.

Pastaj në natën e koncertit u preka nga lotët e tij, që i rrodhën rrëke para se të shkonte tek ashensori që do ta ngjiste në skenën e madhe. Kuptova se sa shumë e do ai punën që bën dhe sa shumë përgjegjësi ndjen jo vetëm ndaj funs-ave që e duan çmendurisht, por dhe ndaj atyre që ai e di mirë se duan e që e paragjykojnë. Pashë sa e vlerësonin dhe e donin artistët, jo vetë shqiptarët por edhe të huajt, Raf Camorra, Gue’, Ghali, Sfera Ebbasta, që kishin ardhur enkas për të. Ndjeva, pikërisht aty pas skene, energjinë që ai shpërndau në turmë. Kur zbriti nga skena e u shemb në krahët e miqve e bashkëpunëtorëve, i dorëzuar në emocionet e atij suksesi të madh, u binda se ai nuk është aspak rastësisht aty ku është e se unë nuk isha aspak gabim aty ku isha, në prapaskenën e atij koncerti që përveçse i duhej Tiranës, na duhej neve të prapaskenës, si eksperiencë dhe emocion, i duhej pikë së pari Noizy-t, për t’i treguar edhe më skeptikëve jo vetëm fuqinë por dhe dëshirën e përpjekjen e tij, për t’u bërë i pranueshëm nga të gjithë. Mbrëmjen e 14 Gushtit, Tirana u përfshi në një “vibe” rinor, si kurrë më parë dhe ky është fakti që se konteston dot askush.