‘Dikur thonim gruaja dhe profesioni nuk ndërrohen’, sociologu Gëzim Tushi: Më të lumturit në zanate janë berberët dhe parukierët

3 muaj më parë
‘Dikur thonim gruaja dhe profesioni nuk ndërrohen’, sociologu Gëzim Tushi: Më të lumturit në zanate janë berberët dhe parukierët

secili prej nesh dëshiron që të ketë punën që ka ëndërruar gjithmonë, por ka ardhur një kohë kur puna zgjidhet sipas të ardhurave që sjell, e ndonjëherë kjo na kushton shumë. Na kushton pikërisht lumturinë në punë, pasi shpesh ne zgjedhim një punë që na sjell më shumë para dhe jo atë punë që na ofron më shumë komoditet.

Së fundmi sociologu Gëzim Tushi, gjatë një dalje televizive ka treguar se në fakt më të lmturit në punë nuk qenkan ata që fitojnë më shumë, por ata që kanë të bëjnë me më shumë njerëz dhe gjatë ditës u bie të kenë më shumë komunikim me klientin. Si të tillë kanë rezultuar parukierët dhe berberët.

“Zgjidh një profesion që të pëlqen dhe ti nuk do të punosh gjithë jetën tënde”, ka thënë gjeniu industrial i kohëve tona Steve Jobs, por në ditët e sotme ne e dimë që jo të gjitha profesionet sjellin lumturi, ka nga ato profesione që megjithëse të shpërblyera, shkaktojnë stres.

“Ka edhe një studim të Universitetit Amerikan të Harvardit për këtë temë, që ka përcaktuar 10 profesionet e renditura sipas shkallës së kënaqësisë dhe lumturisë që ato i sjellin individit. Në 1000 të anketuar është arritur në përfundimin që Ekomomistët, Arkitektët, Inxhinierët, Juristët, Avokatët, Infermierët dhe Mjekët janë ndër më të stresuarit. Kjo pasi kanë punë të vështirë, është nonstop, dhe me shumë përgjegjësi, nuk ka pauza. Dhe një punë e tillë, gjithmonë krijon strese dhe shqetësime, lodhje dhe mërzi dhe pastaj doemos njeriu mbushet dhe mendon edhe ta ndërrojë profesionin. Brezi i sotëm Zeta kemi parë që po e ndryshon punën çdo 3 vjet, jo si brezat e mëparshëm që ishin më të ngurtë në ndërrimin e punës apo profesionit.

Sipas këtij studimi ata që janë më të lumtur edhe pse ndoshta mund të jenë më të pak të paguar, janë profesionet e Parukierit, Berberit, Ndërtuesit dhe në krye ndodhet profesioni i Kopështarit. Kjo sepse janë profesione krijuese dhe afër njerëzve. Shkojnë për shtat me atë për të cilën është krijuar njeriu. Këto profesione kanë lidhje me lëkurën njerëzore, pasi mesa duket lumturia nuk është e lidhur vetëm me paranë, është e lidhur edhe me sistemin e komunikimit. Sa më shumë të ketë ambient të mirë, komunikativ, aq më pak ndihet i stresuar dhe aq më shumë ndihet i lumtur.

Një gjë shumë e mirë dhe interesante e këtij shekulli është që nëse më përpara thuhej që njeriu në jetë dy gjëra nuk ndryshonte dot bashkëshortin dhe profesionin, sot mesa duket që të dyja mund t’i ndryshojë dhe i ndryshon për të mirën e tij.

Mund të them që profesioni i një njeriu është zgjedhje individuale, është lëkura e tij e dytë. Pas emrit të gjithsesicili prej nesh është profesioni. P. sh. X është arkitekt, Z është inxhinier. Këta janë njerëz që lëkura profesionale u është bërë njësh me emrin e tyre, është personalizuar dhe ata ndihen të kënaqur, të lumtur me profesionin që kanë”, tha sociologu Gëzim Tushi.