Divjakë: Ngordhin mbi 4 mijë rosa! Fshatarët shkojnë t’i groposin, përfundojnë në spital

8 muaj më parë
Divjakë: Ngordhin mbi 4 mijë rosa! Fshatarët shkojnë t’i groposin, përfundojnë në spital

Banorët e fshatit Mizë në Divjakë kanë përfunduar në spital me temperaturë të lartë dhe këputje në trup pas kontaktit me rosa të ngordhura.

Ngjarja ndodhi në fermën e biznesmenit Ardian Bakiu, i cili prej vitësh mbarështron rosa pranë një liqeni në fshat.Bakiu në një prononcim për ABC ka tregur se brenda pak ditësh i ngordhën 4200 rozat që kishte në fermë.

Përballë një numri kaq të madh shpendësh të ngordhura, ka rrëfyer se ka kërkuar ndihmën e banorëve për të groposur ato, mirëpo pasi i groposën ai së bashku me baorët shfaqën simptoma sëmundjeje si temperaturë dhe këputje.

“Më kanë ngordhur 4 200 rosa këtu. Gjithçka nisi në fillim të muajit dhe deri më tani. Thirra disa bashkëfshatarë këtu që të më ndihmonin dhe pas kësaj ata përfunduan në spital me temperaturë të lartë. Edhe unë kam 4-5 ditë me temperaturë që shkon deri në 40 gradë Celsius. Nuk e di çfarë ka ndodhur pasi nuk kanë dalë ende me një përfundim pas marrjes së mostrave nga ferma ime”, shprehet Ardiani për ABC.

Ai rrëfen se gjatë ditës së sotme në fermë kanë shkuar një grup nga Drejtoria e Veterinerisë së Fierit, të cilat kanë vënë të gjithë zonën në karantinë duke bërë ndërkohë edhe zhvarrosjen e shpendëve të ngordhur.

“Erdhën të bëjnë zhvarrosjen ata të drejtorisë së Veterinerisë së Fierit, ndërkohë që nga bashkia me kanë sjellë vetëm një sasi uji pak ditë më parë. Askush tjetër nuk ka ardhur të më ndihmojë”, tregon ai.