Dollari po bën ‘kërdinë’ arrin vlerën e euros

7 muaj më parë
Dollari po bën ‘kërdinë’ arrin vlerën e euros

Në nisje të kësaj jave dollari amerikan ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur nl të njëjtat nivele me euron në tregun shqiptar.

Të dhënat e publikuara nga banka e Shqipërisë na tregojnë se dollari këmbehet sot me mesatarisht 117.12 lekë, ndërkohë që një euro me 117.18 lekë. Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që dollari dhe euro thuajse barazohen në tregun vendas, raporton abcnews.al.

Të treja monedhat e forta e kanë nisur javën me rritje krahasuar me lekun, por dollari spikat duke fituar 0.97 lekë brenda pak ditësh.

Ndërkohë paundi ka qënë më stabël, duke ruajtur vlerën (mesatarisht) nga 138-138.50 në raport me lekun. Gjatë ditës së sotme, një paund këmbehet mesatarisht me 138.27 lekë.

Sakaq Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Banka e Shqipërisë llogarit kursin zyrtar të këmbimit si dhe vlerën mesatare të çmimeve të blerjes (bid price) dhe të shitjes (ask price) për monedhat e euros dhe dollarit amerikan, bazuar në kuotime të standardizuara të pjesëmarrësve, në tregun ndërbankar, gjatë intervalit kohor 11.30-12.00. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore.