Nga objektivat e Kombëtares në eliminatoret e Euro 2024, e ardhmja e trajnerit të Kombëtares, organizimi i suksesshëm i UEFA Conference League në Tiranë apo te revolucioni i futbollit të femrave dhe deri të inaugurimi i Shtëpisë së Futbollit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për televizionin “Klan News” ku ka bërë një analizë të gjatë për kombëtaren, por ka folur edhe për zhvillimin e futbollit shqiptar e veçanërisht për projektet e mëdha të FSHF-së, që synojnë të transformojnë futbollin, siç janë Uniforma Ime apo edhe projekti 100 fushat që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në infrastrukturë.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka komentuar edhe vizitat e Presidentëve të UEFA-s e FIFA-s në Shqipëri, duke theksuar se tashmë Shqipëria e futbollit është një faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Flasim për objektiva. Nëse ata kanë objektiv të na marrin pikë edhe ne sigurisht duam të arrijmë sa më shumë, siç kishim edhe objektiva në Ligën e Kombeve. Ky edicion i fundit nuk na doli ashtu siç e prisnim apo siç e kishim parashikuar…
Padyshim që Polonia mendon që të ketë 6 pikë me Shqipërinë, të njëjtën gjë mendon edhe çekia. Objektivi ynë është i njëjtë, por në ndeshjen e parë është shumë e rëndësishme që ne të mos humbasim në Poloni. Të mos e nisim me 0 pikë garën pasi kemi edhe dy ndeshje të tjera ku në letër mund të marrim 6 pikë dhe shkojmë në shtator me 7 pikë dhe me më shumë pretendime për të pasur një vend të parë apo të dytë, që do të thotë një kualifikim të mundshëm në Gjermani 2024.
President më lejoni t’iu bëj një pyetje të drejtpërdrejtë, pasi shumë tifozë shqiptarë janë kuriozë rinovimit të mundshëm ose jo të kontratës së trajnerit Edy Reja.
Ne kemi tani edhe tre ndeshje miqësore që duhet t’i bëjmë dhe pas ose edhe para ndeshjes me Italinë do të ulemi me trajnerin dhe të bisedojmë për të ardhmen, qoftë për të vazhduar një kontratë të mundshme për eliminatoret e Euro 2024 apo për ta ndërprerë atë. Unë kam thënë gjithmonë fjalë pozitive për trajnerin, vazhdoj të them të njëjtën gjë, jo vetëm në aspektin profesional dhe sportiv, por edhe në aspektin human dhe të marrëdhënieve njerëzore, siç ka edhe marrëdhënie fantastike për ekipin.
Është një njeri që i kupton shumë mirë situatat dhe unë nuk besoj se ne do të kemi vështirësi për të arritur një konsensus për të mirën e ekipit Kombëtar në të ardhmen. Pavarësisht të gjitha kritikave dhe hamendësive, më vjen mirë që trajneri sillet sikur do të jetë në këtë post edhe për 20 vitet e ardhshme. Kështu që kjo është vërtetë profesionalizëm, pavarësisht nëse ndërpritet apo jo kontrata, ai është profesionist deri në sekondën e fundit dhe do të bëjë maksimumin për të ndihmuar ekipin që të rritet nga pikëpamja sportive e në të gjitha këndvështrimet.
Shpesh herë dëgjojmë opinione që ka ardhur koha për trajner shqiptar. Këtë refren duhet ta keni dëgjuar ju më shumë se kushdo tjetër. A ka Shqipëria kandidatë që të plotësojë kriteret e mundshme të FSHF për postin e trajnerit të kombëtares?
Padyshim që ka në nivelin teknik trajnerë që kanë arritur suksese në futbollin shqiptar, pak në futbollin ndërkombëtar, por dhe vetë ndonjë nga ata nuk arrijnë të marrin përgjegjësi, sepse ne kemi bërë edhe diskutime me trajnerë të ndryshëm në Shqipëri dhe nuk arrijnë të marrin përsipër barrën e ekipit Kombëtar. Vërtetë është e rëndësishme dhe përveç kësaj kërkon një eksperiencë ndërkombëtare në kompeticione ndërkombëtare. Gjithsesi nuk është e thënë që trajneri do të jetë Edy Reja ose jo, do të jetë shqiptar apo i huaj në të ardhmen.
Apo sërish italian? Sepse kjo është një tjetër pyetje që bëhet shpesh, një pëlqim i juaji i veçantë për trajnerët italianë ose ndoshta është rastësi? A do të ndryshojë muzika këtë herë?
Në fakt ne kemi pasur trajnerë të kombësive të ndryshme, por në fakt italianët na përshtaten pak më shumë për arsye sepse kemi pothuajse gjysmën e skuadrës aktualisht që luan në Itali. Kemi më shumë se 60% të skuadrës që flet italisht kështu që është disi më e përshtatshme dhe më afër skuadrës, më afër mentalitetit të tyre, sepse duke luajtur në kampionatin italian padyshim kanë edhe një mentaliteti më të përafërt. Por nuk është e thënë asnjëherë që duhet të jetë trajner italian, zviceran, shqiptar apo gjerman.