E humbi në minutat e fundit “Këpucën e Artë” të Superiores: Rëndësi ka kush është…

1 vit më parë
E humbi në minutat e fundit “Këpucën e Artë” të Superiores: Rëndësi ka kush është…

Taulant Seferi foli shkurtimisht pas përfundimit të sezonit dhe shpalljes së Tiranës, kampione e Superiores. Mes entuziazmit të tifozëve, që pushtuan fushën e “Selman Stërmasit”, sulmuesi bardheblu foli edhe në lidhje me garën që kishte me Guindon për “Këpucën e Artë”.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë i gëzuar. Nuk kam fjalë. E kemi dominuar kampionatin dhe e kemi dominuar titullin kampion.

S’ka rëndësi kush është golashënues, rëndësi është kush është kampion. Taulant Seferi është kampion. Forca Tirana dhe faleminderit”, u shpreh Seferi.

Saliu Guindo është fituesi i titullit të “Golashënuesit më të mirë’ të Abissnet Superiroe në këtë edicion. Sulmuesi i Laçit ka shënuar 19 gola në këtë edicion dhe ia ka dalë të fitojë trofeun. Në fakt, të njëjtat shifra ka regjistruar edhe Taulant Seferi i Tiranës, por e ka humbur garën në bazë të kritereve të përcaktuara nga FSHF, sipas nenit 53 “Trofeu “Golashënuesi më i mirë”, Abissnet Superiore”.

Pika b përcakton “nëse në përfundim të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Abissnet Superiore, rezultojnë dy ose më shumë lojtarë të cilët përmbushin përcaktimet e pikës (a) këtu më sipër në këtë paragraf, atëherë për të përcaktuar golashënuesin më të mirë zbatohen kriteret në vijim:

1- golashënuesi më i mirë është lojtari që ka raportin (gola të shënuar gjithsej) për mbi (ndeshje të luajtura gjithsej) në sezonin përkatës, më të madh”.