Edi Reja ka dalë në konferencë për shtyp pak më parë, ku ka folur për dy ndeshjet eliminatore për Ligën e Kombeve në qershor dhe atë miqësore ndaj Estonisë. Ajo që bie në sy është mungesa e disa lojtarëve me peshë si Armando Broja, Rei Manaj, Thomas Strakosha, Qazim Laci dhe Keidi Bare.
Edhe pse Broja figuron në listën me 26 lojtarët e publikuar sot në mëngjes, Edi Reja tha pak më parë se ai ka dalë me Covid dhe do mungojë ndaj Izraelit.
Këtë nuk e beson njeri në fakt, as vetë Edi Reja, po si duket iu ka marrë dorën gënjeshtrave dhe tani nuk i skuqet me faqja, nuk i bën më përshtypje.
E vërteta është që mes Brojës dhe Rejës prej kohësh ka pasur një përplasje, duke qenë se trajneri italian donte që ai të huazohej tek Udinese në Serie A dhe jo Southampton. Ky ngerc mes palëve nuk është zgjidhur ende dhe justifikimi më i mirë në këtë rast është Covidi.
Arsyea e vërtetë është se ka një krisje mes Brojës dhe Rejës, gjë që është konfirmuar më parë dhe nga burime pranë familjes së lojtarit. Ajo që nuk dihet është nëse ka zgjedhur Reja ta lërë jashtë Brojën, apo ky i fundit s’e ka me qejf të vijë në Kombëtarë sa të drejtojë italiani.
Sa për Manaj, se kur u dëmtua nuk e morëm vesh, se ishte në fushë 90 minuta në ndeshjen e fundit me Spezian ndaj Napolit. Për Baren dihet që është i dëmtuar, gjë e konfirmuar edhe nga Espanyoli.
Për Qazim Lacin nuk ka ndonjë informacion nga klubi i Ajaccios, gjithsesi mund të jetë vërtetë i dëmtuar. Strakosha ndërkohë i ka kërkuar leje Rejës për të mos ardhur këto ndeshje sa të gjejë ekip të ri. A thua Kombëtarja është si të teket, kur të teket vjen, kur s’të teket nuk vjen.