Gazetari sportiv, Ervin Baku thotë se Edoardo Reja, me shumë mundësi do të vijojë të jetë trajner i kombëtares. Në një intervistë për Euronews Albania, Baku u shpreh se me Rejan, mund të ndodhë e njëjta situatë si me de Biasin.
“Kam përshtypjen që do vazhdojmë me Rejan. Përse e bëj këtë paralelizëm? Për eleminatoret e Botërorit 2014, pas një fitoreje në Norvegji, ne ishim pretendentë kryesorë, por më pas ne nuk shkuam dot në Botëror. Mbaroi edicioni dhe të gjitha opinionistët, i gjithë opinioni publik, ishin kundër de Biasit.
Çfarë bëri Duka? I besoi prapë de Biasit dhe shkuam në evropian. Fakti që Duka e mori Rejan në Frankfurt në hedhjen e shortit, kam përshtypjen që do të vazhdojë. Kam përshtypjen që do vazhdohet me Rejan”, theksoi ai.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka njohur kundërshtarët e saj për kualifikueset e Kampionatit Europian “EURO 2024”, në shortin e mbajtur të dielën në Frankurt të Gjermanisë.
Shqipëria do të jetë në grupin E, ku në vazon e parë, kuqezinjtë kanë gjetur sërish Poloninë, përfaqësuese të cilët e patëm edhe në kualifikueset e Botërorit të Katarit.
Në vazon e dytë, u përzgjodh skuadra e Republikës Çeke. Nga vazo e katërt nga goglat e hedhura janë Ishujt Faroe, ndërsa në vazon e pestë është Moldavia.