Luftëtari arriti të fitojë ndeshjen e parë në kampionat përballë Maliqit ditën e djeshme në Gjirokastër. Ndeshja përfundoi me rezultatin e pastër 3-0 me dygolëshin e Mërkurit dhe Gabës.
Pas humbjes ndaj Elbasanit në javën e parë, kjo fitore ngre moralin në kampin gjirokastrit dhe e dërgon ekipin në vendin e 6 në kuotën e 3 pikëve, po aq sa Devolli, Butrinti, Maliqi, Albpetroli dhe Shkumbini.
Siç raporton shtypi i shkruar, mundi i futbollistëve për fitore ka sjellë edhe shpërblimin e tyre. Në takimin e djeshëm me skuadrën, kryebashkiaku Flamur Golemi u premtoi premio prej 50 mijë lekësh të vjetër për çdo futbollist në rast fitoreje.
Rivalitet i ashpër në 2 javët e para në Grupin B të Kategorisë së Dytë, teksa vetëm 1 skuadër ka arritur të sigurojë pikë të plota. Ajo është Labëria.
Vlonjatët mposhtën Delvinën në javën e parë me rezultatin 0-1, ndërkohë që sot triumfuan minimalisht 1-0 ndaj Butrintit, duke kryesuar të vetëm.
Në ndjekje të Labërisë janë vënë Elbasani dhe Pogradeci, që së bashku me Devollin dhe AF Luftëtarin do të formojnë 5-shen e ekipeve pretendente që do të synojnë Kategorinë e Parë këtë sezon. Tabela e klasifikimit mbyllet nga Memaliaj, që nuk e ka provuar ende shijen e pikëve në këto 2 javë.