Ekipi yt mund të barazojë 0-0 përballë PSG-së, por pika e marrë ndaj kampionëve në fuqi nuk mund të mjaftojë dhe e sheh veten i shkarkuar nga posti i trajnerit.
Kështu ka ndodhur me Oscar Garcia, 49-vjeçarin spanjoll, të cilin drejtuesit e Reims e kanë shkarkuar për mungesë të rezultateve pozitive.
Skuadra ku luan edhe Arbër Zeneli (1 asist në 306 minuta në Ligue 1) renditet në vendin e 15-të në Ligue 1, me vetëm 8 pikë të grumbulluara në 10 javë.
“Rezultatet janë nën objektivat e pritura, e kemi marrë këtë vendim në interesin e klubit”, lexohet në komunikatën zyrtare të Reims.
Garcia qëndronte në postin e trajnerit të ekipit francez prej qershorit të vitit të kaluar, ndërkohë që kishte kontratë deri në verën e vitit 2024.
Përsa i përket Arbër Zenelit, ylli i Kosovës ishte një nga më të mirët në fushë ndaj PSG-së duke vënë në vështirësi disa herë Donnarumma-n.