Nesër, do të luhet finalja e madhe mes Romës dhe Feyenoord, e vlefshme për Conference League. Kjo ndeshje do të startojë në orën 21:00, ndërsa prej ditësh stadiumi kombëtar i është dorëzuar UEFA-s. Impianti shqiptar ka ndryshuar tërësisht pamje, teksa është personalizuar në kuadër të kësaj finaleje.
UEFA ka mbuluar me logon e finales emrin e stadiumit si dhe në cepet e tij janë shtuar dy ekranë gjigantë. Gjithashtu edhe fonia është shtuar, ndërsa fusha shihet që është në gjendje të mrekullueshme. Siç pati deklaruar edhe Klejdi Tomorri, duket që tapeti i “Air Albania” të jetë në top formë.
Stadiumi Air Albania dhe Tirana do të kthehen në epiqendrën e Europës, ndërsa pritet të mbërrijnë me qindra mijëra italianë dhe holandezë.
Klubi i Romës po ashtu nëpërmjet Tëitter ka zbuluar për tifozët e saj, dhomën e zhveshjes që të besuarit e trajnerit Jose Mourinho do të kenë në stadiumin Air Albania ndërsa italianët kanë nisur të numërojnë minutat që i ndajnë nga ndeshja finale.
📸 Il nostro spogliatoio a Tirana 🟨🟥#ASRoma | #UECLfinal pic.twitter.com/TM9BoC6QHK
— AS Roma (@OfficialASRoma) May 24, 2022
Fituesi i trofeut të parë të këtij kompeticioni do të marrë plot 5 milionë euro, ndërsa vendi i dytë do të përfitojë 3 milionë euro, ndërkohë të dyja skuadrat në fjalë kanë marrë pagesa për çdo tur të kaluar dhe ndeshje të fituara në fazën e grupeve, që variojnë nga 150 mijë euro deri në 2 milionë euro që ka qenë shifra që përfituan në takimet e gjysmëfinaleve.
Ndërsa kampioni i Conference League, përveç shumës monetare, do të garantojë edhe kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm. Megjithatë vlen të theksohet se të dyja këto skuadra tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në Europa League nga kampionatet vendas.