Elvira Diamanti rrëfen jetën, dashurinë dhe dramat e saj…

8 muaj më parë
Elvira Diamanti rrëfen jetën, dashurinë dhe dramat e saj…

Artistja e njohur tregon karrierën e saj kinematografike. Ndalet te sukseset edhe humbjet e mëdha, të cilat e kanë bërë të kuptojë thelbin e vërtetë të jetës, duke i dhënë çdo ditë kuptimin që duhet

Rrëfimi i rrallë i Elvira Diamantit; dashuria, jeta dhe dramat e një ikone! Asgjë më pak se diamanti nuk ka bukuria e saj, e po kështu edhe talenti. Shumica e identifikojnë, si Marigoja te “Përrallë e kaluara”, edhe pse rolet e Elvira Diamantit në kinematografinë shqiptare janë të shumtë.

Tipare të theksuara, shtat të lartë dhe një qëndrim për t’u admiruar, është ajo aktorja që ka luajtur rolin e disa prej personazheve më pikant të romaneve të Kadaresë, si “Kush e solli Doruntinën”, “Natë me hënë” etj. Edhe pse Diamanti është tërhequr shpejt nga skena, ajo ishte e angazhuar, deri para disa muajsh, si drejtoreshë në Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar.

Në këtë intervistë për revistën “Ejani” rrëfen kujtimet e saj në sheshxhirime, dëshirat në sirtar për kinemanë dhe teatrin etj. Elvira, nëse riktheheni në kohë, si e kujtoni kinoprovën e parë në ish-Kinostudio? Regjisori Pirro Milkani ju shtroi pyetjen: “A dëshironi që të jeni pjesë një filmi?”…

Regjisori Pirro Milkani ka qenë ai, që më thënë për të bërë disa prova për një personazh. Këtë, me të, nuk e kam diskutuar më asnjëherë! Madje ai nuk e mban mend! Pasi, ai nuk është se do më zgjidhte, por thjesht më tha, që: “Hajde në ish-Kinostudio, që të bësh një kinoprovë”. Ndërkohë, në ish-Kinostudio punonte edhe motra ime Diana, e cila nuk donte në asnjë mënyrë!

E megjithatë, udhëtimi juaj në këtë fushë filloi. Te “Radiostacioni” me skenar të Ismail Kadares, në rolin e Teutës. Ju kujtohet takimi i parë me shkrimtarin në sheshxhirim? Pasioni im për letërsinë ka qenë përherë i madh. Kadarenë e kam takuar në sheshxhirim, kur erdhi bashkë Helenën. Me siguri që, ai nuk e mban mend këtë fakt, sepse erdhi që të shikonte se si po zhvilloheshin xhirimet e filmit.

Skenari kishte shumë personazhe, por Teuta spikaste, si më e reja dhe më vogla në grup. Unë i kisha hyrë rrugës së filmit, por po e trajtoja thjesht si një periudhë të mirë. Ndërsa, kur erdhi Kadareja, kjo gjë më dukej një gjë kaq e madhe, siç më duket dhe kur e takoj sot, sepse mendoj që për ne është fat, që të kemi një shkrimtar të tillë. Nuk kam thënë asnjë fjalë kur ma prezantuan.

E ndërsa, rruga juaj në kinematografi sapo kishte nisur, përveçse si partizane, ju duhet të luanit edhe rolin e nuses së Çerçiz Topullit, përkrah aktorit Timo Flloko. Gjatë xhirimit të këtij filmi, cilat kanë qenë “sikletet” më të mëdha? Si ishte të punonit me Timo Fllokon?

Në këtë film ndryshuan gjërat, sepse kur të bëjnë një ftesë të dytë, kupton se ke marrë një drejtim në jetë. Filmi i parë kishte dalë në kinema, kur unë i thashë vetes, që dhe mund të studioja për aktore, por në atë kohë ishte problem e drejta e studimit. Jo të gjithë mund të studionin!

Unë kisha dy motra me shkollë të lartë, edhe ishte pothuajse e pamundur të vazhdoja lehtësisht studimet. Mundësia ime ishte, që të fitoja me konkurs një shkollë, që në këtë rast do të ishte për dramë. Fillova ta marrë rolin dhe punën që u bë për të, grimi, rrobat, paruket shumë seriozisht. E pashë veten vizualisht shumë mirë.

Gjithashtu, pata fatin të takoj nga afër gruan e Çerçiz Topullit. Ajo jetonte në një lagje me mua! Edhe sot e kujtoj, kur më thoshte: “E ku e takoja unë atë, shumë pak e takoja, se vinte si era me shiun”. Histori të tilla! Por, ky ka qenë roli që unë nisa të bëjë atë që bën çdo aktor, të gërmojë në historinë e personazhit.

Nga pedagogët në Institutin e Arteve, cilin do të veçonit? Kam pasur fatin të kem pedagogë të shkëlqyer, si Drita Pelingu, Anasatas Kristofori, Birçe Hasko etj. Për hir të vërtetës filmin e kisha mësuar, por nisa t’i përshtatem aktrimit në teatër. Mendoj se shkolla ishte një moment kulminant, sepse ti kishe bërë një gjë në mënyrë krejt rastësore, dhe këtu nisje të kuptoje se çfarë e bën një aktor të mirë.

Edhe pse edhe sot e kësaj dite, kam dyshimet e mia, se çfarë e bën të mirë një aktor të mirë. Sigurisht që, nuk është se pres diçka nga e ardhmja, por pyes ende veten: A jam aktore apo jo? Akoma nuk e di këtë pjesë, kam një dyshim shumë të madh, tek ajo që kam bërë edhe tek ajo që jam, sepse mendoj se të jesh plotësisht aktore, ose më saktë që t’i përkushtohesh në jetë plotësisht aktrimit është shumë e vështirë dhe duhen shumë sakrifica. Ndërkohë, kam dashur, që në radhë të parë të funksionojë pjesa brenda familjes sime dhe pastaj të funksionojë pjesa, si një artiste.

Herë-herë, mezi e kam shkëputur veten për të bërë artisten, por dhe gruan e mamanë në shtëpi. Për hir të së vërtetës mendoj se pjesën e dytë, mamaja edhe gruaja, ka qenë më mirë sesa pjesa e artistes. Kështu mendoj unë, por ky është një dyshim i madh, që kam vërtet. Nuk është e kollajtë, që ta pranosh, por është shumë më mirë, që të jesh e sinqertë me veten, sesa të gënjesh.

Kur prekët teatrin, çfarë ndjesie merrnit në krahasim me kinemanë? Unë kam pasur fat edhe në teatër. Që ta “mbash” fatin, sigurisht që duhet punë, përkushtim dhe pasion. Kam luajtur në teatër te “Shi në plazh”, në trupën e studentëve, një komedi që qëndroi gjatë në skenë. Me pedagogët e mi kam bërë një rrugëtim të gjatë, jo vetëm në skenat e Akademisë së Arteve, të Teatrit Kombëtar, por një tur rreth e rrotull Shqipërisë.

Edhe si ju ndihmoi kjo? Kjo bëri që unë ta dua shumë skenën. Edhe, sot skena e teatrit është magjiplotë, por është edhe frikshme, sepse të jesh çdo natë në një skenë dhe me një rol të vështirë, më duket pothuajse e pamundur. Kështu ka rrjedhur jeta ime! Ato gjëra që kam prekur, edhe që dikur më janë dukur të lehta, sot më duken tmerrësisht shumë të vështira.

Ekziston akoma brenda jush, dëshira për një bashkëpunim në teatër? Patjetër që po! Ftesat për bashkëpunim nuk është se më kanë munguar, por e kuptoj që teatri do një angazhim shumë të madh, do kohë për prova. Mua për kushtet e jetës që bëj tani më duket shumë e lodhshme dhe e pamundur. Nuk mund të pranoj të bëj një gjë, që nuk do t’i jap shpirtin tim 100 për qind.

Te “Përrallë nga e kaluara” nga Dhimitër Anagnosti, keni luajtur një ndër rolet tuaj, që ka lënë gjurmë edhe sot e kësaj dite në kinematografinë shqiptare… Por, sa e lehtë dhe e vështirë, ishte që regjisori të “qëndiste” një Marigo, e cila kujtohet në të gjitha familjet shqiptare, shpeshherë edhe me humor nëpërmjet frazës: “Për punë të kemi marrë”….

Edhe kjo ka qenë pjesë e fatit tim! Në atë kohë, në teatër më kujtohet shumë mirë, që më thotë Roza Anagnosti, se do të kisha një propozim, por asgjë vetëm kaq. Shumë shpejt më erdhi Çim Daja, një nga miqtë edhe kolegët e mi të hershëm, që më solli skenarin e Dhimitër Anagnostit në shtëpi. Ndërkohë, në teatër do të vihej Romeo dhe Zhuljeta. Unë isha zgjedhur që të bëja Zhuljetën, por nuk e shihja brenda vetes sime, si personazh.

Pikërisht në kohën që isha në këtë krizë identiteti, më vjen ky skenar edhe rol i mrekullueshëm, që me çdo kusht doja ta bëja. Pat fat të madh! Ky rol mund të vinte kur unë isha 35 vjeçe, por erdhi në kohën dhe moshën e duhur, që siç thotë trimi kur bie Marigoja:“Më ra nga qielli”, prandaj e konsideroj fat. Pastaj të punoje me Anagnostin ishte që mos ta kuptoje, se ti po bëje një gjë shumë të mirë. Ai po kërkonte të natyrshmen, të vërtetën.

Pas viteve ’90 keni marrë pjesë, si aktore te “Dasma e Sakos”, “Ne dhe Lenini” apo “Ada”. Por, si erdhi ky ndryshim tek ju, si artiste? Si gjendeshit tashmë në sheshxhirim, në vendin që ju patët mundësinë, që të krijonit një emër?

“Dasma e Sakos”, “Ne dhe Lenini” dhe “Ada”… Njeriu nuk shkëputet dot nga rrethanat, edhe nuk e kapërcen dot veten. As unë nuk e kapërceja dot Elvirën e lindur në Tiranë, që kishte një rreth të përcaktuar shoqëror. Ngjarjet ndryshuan! Lamë pas diktaturën dhe hymë në tranzicion. Brenda meje nuk kishte ndryshme shumë të mëdha, por regjisorët përfituan nga kjo liri, edhe nisën që të bëjnë gjëra, që nuk do t’i bënin dot kurrë në komunizëm.

Në atë kohë e kuptova, sesa komode kishte qenë për ne, kinemaja komuniste. Mund të ishe grua edhe bashkëshorte shumë mirë, duke qenë edhe në kinema, sepse askush nuk të detyronte të zhvisheshe, të putheshe apo të bëjë skena të nxehta. Prandaj, them përse mos ta bëja këtë gjë, çfarë ndryshimi kishte profesioni i një aktoreje nga një tjetër? Ndërkohë që, pas ’90-së gjërat ndryshuan menjëherë. Këtë e ndjeva te “Dasma e Sakos”, disa gjëra unë nuk i kapërceja dot. Nuk mund që të bëheshin të gjitha, sepse nuk mundet që të dilja në mënyrë qesharake. Ndërsa, sot një aktor mendoj se duhet që t’i bëjë të gjitha.

Ndërsa, te filmi “Ada” dhe “Ne dhe Lenini” nuk kishte asgjë që nuk e bëja dot. Edhe nëse do të më kërkohet tani të bëj një rol në kinema jam e qetë, sepse nuk do të më kërkojnë të bëj ndonjë çudi, tanimë çuditë i ngelen brezit të ri. Nuk mundet të dalësh jashtë realitetit, rrethanave edhe kohës që ke lindur. Është e pamundur!

“Jeta është shumë e shkurtër, prandaj zbulo misionin tënd se për çfarë ke ardhur” E nëse ndalim te jeta familjare, me bashkëshortin, si jeni njohur? Për mua ka qenë një dashuri shumë e fortë, të cilën e krahasoj me “Amok”-un e Stefan Cvajgut. Drini (bashkëshorti) ka qenë natyrë, i cili nuk shihte filma dhe nuk është se ra “përmbys” pas meje. Adhurimin e tij karshi meje nuk e shprehte hapur, edhe kjo gjë më tërhoqi tek ai.

Por, edhe në subkoshinecën time kam kërkuar një burrë të tillë, që të mos shikonte tek unë gruan e bukur, por që të shikonte thjesht Elvirën. Por, në fillim njeriu nuk e di se çfarë zgjedhje ka bërë, por kur shikon fëmijët të rritur, thua: Po, kam bërë një zgjedhje të mirë, sepse vetëm aty duket, që babai dhe nëna kanë qenë të duhurit.

Ka qenë e lehtë t’ju mirëkuptonin gjatë punës, veçmas bashkëshorti, i cili nuk i përket fushës së artit? Gjatë xhirimeve të filmit “Dasma e Sakos” kam qenë larg familjes rreth një muaj. Mamaja ka qenë engjëlli im gjatë gjithë jetës sime, këtë e them pa frikë, sepse ka qenë një grua e rrallë, që më ka mbështetur shumë gjatë rrugëtimit në kinemtografi. Por, as bashkëshorti nuk më ka penguar!

Mbase edhe ai nuk e ka perceptuar që gjërat kishin ndryshuar apo që unë do të bëja ndonjë çudi, mbase kemi qenë të dy në të njëjtat rrethana. Por nga goja e tij nuk e kam dëgjuar të më thotë: “Këtë nuk do ta bësh!”. Këtë e them me shumë sinqeritet.

Asnjëri nga fëmijët nuk i është përkushtuar artit? Jo, fëmijët nuk kanë marrë me art. Nuk janë marrë, sepse edhe nuk e kanë dashur vet, por edhe nuk ua kam ushqyer, sepse mendoj se të qenët aktor, është një profesion shumë i vështirë. Në çdo rol punën duhet që ta nisësh nga e para.

Jeni shprehur, se “fama është një drogë që të vjen shumë e ëmbël”. Por, cilin moment do të veçonit, përsa i përket “dehjes”, që keni marrë nga fama? Sa larg mund të shkonte Elvira Diamanti pas një suksesi në një film? Në rrethin tim fama nuk ndikon, sepse ti e merr, si një gjë të mirëqenë, ti nuk e sheh, si Elvira që ka luajtur role, por si Elvira në raporte normale.

Edhe në atë periudhë miqësia ime më shihte njësoj. Ndërsa, me njerëzit ndryshonte puna. Por, fama më ka bërë të kuptoj herët, se njerëzit kanë krijuar një imazh për mua, dhe nuk mundesha, që t’ua prishësh. Kjo gjë më ka bërë më të kujdesshme dhe vëmendshme, por asnjëherë nuk më ka dehur.