Ëndrra nisi në vitin 2002! Një nga futbollistët më të mirë shqiptarë varë “këpucët në gozhdë”… në heshtje

1 vit më parë
Ëndrra nisi në vitin 2002! Një nga futbollistët më të mirë shqiptarë varë “këpucët në gozhdë”… në heshtje

Sezoni 2021/22 ishte i fundit për Valon Behramin si futbollist aktiv. Mesfushori kosovar është përshëndetur nga futbolli aktiv në moshën 37-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere fantastike që e nisi si profesionist në vitin 2002. E vendimin për t’i varë “këpucët në gozhdë” Behrami e ka marrë pas eliminimit të Brescias në gjysmëfinale të plejofit në Serie B. Brescia që synonte rikthimin në Serie A sezonin e ri, të dielën e shkuar u mposht edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit nga Monza, që avancoi në finale me rezultatin e përgjithshëm 4:2.

Behrami iu bashkua Brescias në janar të këtij viti për ta ndihmuar në tentimin që të rikthehet në Serie A pas dy vjetësh. Sezonin e mbylli në pozitën e pestë, nuk arriti të avanconte përtej serisë gjysmëfinale të plejofit. Me fanellën e Brescias, të cilës iu bashkua si lojtar i lirë pasi shkëputi kontratën me Genoan, Behrami regjistroi pesë paraqitje. Largimin e Behramit nga futbolli aktiv e ka bërë të ditur bashkëlojtari i tij te Brescia, Flavio Bianchi, të mërkurën nëpërmjet një postimi në “Instagram” kanë raportuar mediumet italiane. Këtë edicion Behrami ka edhe dhjetë paraqitje në Serie A me Genoan, ku ishte edhe kapiten i ekipit.

“Doja t’i bëja homazhe Behramit, i cili ia dha lamtumirën futbollit të dielën. Një lamtumirë e heshtur, pa e vënë re askush. Dua ta falënderoj për personin e thjeshtë që është, i cili gjithmonë më ka ndihmuar shumë si në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj për sa i përket sjelljes dhe mentalitetit. Nuk dua të shkoj shumë larg, dua të them vetëm faleminderit edhe nëse për fat të keq nuk keni arritur ta keni lamtumirën në fushë ashtu siç do të kishte dashur. Faleminderit për gjithçka Valon, ishte kënaqësi të luaja me një lojtar dhe një njeri si ty qoftë edhe për pak kohë… fat të mirë për gjithçka miku im!”, ishte postimi prekës i sulmuesit Bianchi.

Behrami, që ka luajtur si lojtar defensiv, ka një karrierë të pasur gjatë së cilës ka luajtur në top-ligat e Evropës: Serie A, Premier League dhe Bundesligë. Si profesionist, Behrami e nisi karrierën në vitin 2002 te skuadra e Luganos në Zvicër, të cilën e vazhdoi në Itali, te Genoa, Verona, Lazio, Fiorentina, Napoli e Udinese. Gjithashtu barti edhe fanellën e ëest Ham Unitedit, Hamburgut, ëatfordit e Sionit. Ka fituar Kupën e Italisë në sezonin 2013/14 me Napolin, kurse ishte pjesë e rregullt e Zvicrës prej vitit 2005 përpara se të tërhiqej në vitin 2018. Me Zvicrën, Behrami ka regjistruar 83 paraqitje dhe ka shënuar tri gola, kurse ka luajtur në katër Kampionate Botërore (2006, 2010, 2014, 2018) dhe dy Evropiane (2008 e 2016).

Edhe pse është përshëndetur nga futbolli aktiv, Behrami nuk do të largohet nga sporti, të cilit ia kushtoi dy dekada si profesionist. Mediumet italiane kanë raportuar se sezonin e ardhshëm Behrami do të jetë pjesë e shtabit teknik të ekipit nga Serie A, Verona, për të cilin ka luajtur në sezonin 2004/05. Në fakt thuhet se është drejtori i ri sportiv i Veronës, Francesco Marroccu, ai që e ka marrë Behramin në stafin e trajnerëve, pasi kanë raporte të shkëlqyera mes vete.

Marroccu këtë sezon ka qenë drejtor sportiv te Brescia, por së bashku me Behramin do ta nisin një kapitull të ri te Verona. Ishte vet Behrami që më herët pati bërë të ditur se ka nisur mësimet për t’u pajisur me licencën e trajnerit duke thënë se synimi i tij pas largimit të futbollit është të vazhdojë me këtë zeje. /Koha.net