Eshtë nxënësi i vetëm në klasë të parë, 6-vjeçari nuk ka shokë dhe shoqe për të filluar shkollën

3 javë më parë
Eshtë nxënësi i vetëm në klasë të parë, 6-vjeçari nuk ka shokë dhe shoqe për të filluar shkollën

Gumëzhimat e nxënësve mungojnë. Të flasësh për klasë të parë, të dytë apo të tretë, nuk ka më kuptim. Nga klasa e parë në të pestën, ata pak nxënës, që numërohen me gishtat e njërës dorë, qëndrojnë bashkë.

Enesti e kishte ëndërruar klasën e parë së bashku me shokë dhe shoqe, por ai sot është nxënësi i vetëm i klasës së parë. Thotë se do të vijnë edhe shokë të tjerë më vonë, për t’u bërë më pas vetëm dy nxënës në klasë të parë, raporton A2.

Kështu nis viti i ri mësimor në shkollën e Griqanit në Bashkinë e Elbasanit. Edhe pse me klasa të bashkuara nga e para deri në të pestën dhe nga e gjashta deri në të nëntën, sërish ato janë bosh.

Ndërsa nxënësit do donin më shumë shokë e shoqe me ta. “Jemi 3, por do të ishte më mirë sikur të ishim 20”, thotë një nxënës. Trishtim edhe për mësuesit që shohin se si numri i nxënësve po ulet nga vit në vit.

“Këtu ka vite që punohet me sistem me klasa të bashkuara, sidomos cikli i ulët, por edhe cikli i lartë po ashtu. Madje ka 10-12 vjet që kështu ndodh këtu, për shkak të numrit të paktë të nxënësve”, thotë një mësues. “Një pjesë largohen në emigracion, një pjesë ikin në qytet. Numri sa vjen e bie”, thotë një mësues tjetër.

Në gjithë Bashkinë e Elbasanit, në sistemin parauniversitar këtë vit shkollor është mbyllur një shkollë, ndërsa tre të tjera janë bashkuar si pasojë e numrit të ulët të nxënësve.