Gjyqtarja e Durrësit që i martonte njerëzit pa dijeni ia mbath nga drejtësia

6 muaj më parë
Gjyqtarja e Durrësit që i martonte njerëzit pa dijeni ia mbath nga drejtësia

Komisioni i Vetingut vendosi më 16 shtator të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtaren e Durrësit, Flora Hasimi si dhe i ndaloi rikthimin në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare, për shkak të dorëheqjes së saj nga detyra.

Flora Hasimi njihet si gjyqtare e skandaleve, pasi martonte njerëzit nga dy herë në fshehtësi, për t’u marre pronat.

Në vendimin e Komisionit sqarohet se gjyqtarja Hasimi e ka dhënë dorëheqjen disa ditë pasi është njohur prej Komisionit me barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përfunduar hetimi administrativ paraprak.

Gjyqtarja Hasimi është shortuar më 16 dhjetor 2019 nga KPK, që e ka filluar hetimin administrativ në janar të 2020-ës. Më 6 korrik 2022, KPK ka përmbyllur hetimin paraprak për kriterin e pasurisë dhe i ka kërkuar subjektit që brenda datës 18 korrik të depozitonte prova në funksion të barrës së provës.

Në afatin maksimal për të kthyer përgjigje, subjekti ka depozituar në KPK kërkesë për pushimin e procedurës së vlerësimit të saj, duke njoftuar se kishte dorëzuar kërkesë për dorëheqje nga statusi i magjistratit pranë Këshllit të Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Me vendim të disa ditëve më vonë, KLGJ ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren Flora Hasimi për shkak të dorëheqjes së saj.

Vite më parë, gjyqtarja martoi Luljeta Hoxhën pa ditur asgjë zonja Hoxha, me qëllim për t’i grabitur pronën. “Unë kam 28 vjet e martuar me Luan Hoxhën, por gjykatësja më ka martuar në fshehtësi me Gëzim Xhuretën, me qëllim marrjen e pronës”.

Gëzim Xhuretës i bleva pronën 12 vjet më parë. Martesa me të është false, gjykata më martoi me shitësin e pronës. Kjo është një martesë fiktive, për të më grabitur pronën. Vendimi i gjykatës është zbardhur më 30 dhjetor. Do i drejtohem KLD-së dhe prokurorisë”, tha Hoxha.

Megjithatë, gjyqtarja e Durrësit nuk u shkarkua nga KLD-ja, por vijoi detyrën deri kur iu ngushtua rrethi i Vetingut.