Vllaznia fitoi dje 1-0 me Kastriotin për javën e pestë në Superligë. I ftuar nëpërmjet lidhjes Skype me Ora Skaner ishte edhe mesfushori i shkodranëve, Herald Marku.
Ndërkohë që Marku mori fjalën, në studio ishte i ftuar dhe Artan Pogoni, profesori i tij në Univeristetin e Sporteve në Tiranë. Profesori i kërkon Markut që nesër (sot) të paraqitet në shkollë pasi ka provim.
Kaq është dashur që në studio të shpërthejë humori, me Markun që nuk ka ndenjur duarkryq, duke “dribluar” me përgjigjen.
“Markut i them që të vijë nesër në shkollë se ka provim (qesh). Është student i imi, një nga djemtë më të mirë në universitet. Është i përgatitur dhe e vlerësoj shumë”, tha Pogoni.
I pyetur në lidhje me faktin se me Vllazninë luan më mirë se në ekipet e tjera, Marku është shprehur se për këtë fakt ndikon fanella që mban veshur.
“Ishte një gol shumë i shpejtë. Janë gola që të japin shumë moral, sepse e fillon ndeshjen në avantazh. Por ndonjëherë edhe të bën që të luash pak me frikë, pasi kërkon të ruash rezultatin dhe nuk i dihet se si shkon. Por sot ia dolëm dhe morëm 3 pikët. Ndikon diçka që luaj më mirë në Shkodër? Më ndikon bluza. Nuk e di, më rri më bukur më thonë”, tha Marku.