Instituti Europian i Statistikave nxjerr shifrat: Vendi më i varfër në kontinent është… Shqipëria!

2 javë më parë
Instituti Europian i Statistikave nxjerr shifrat: Vendi më i varfër në kontinent është… Shqipëria!

Shqiptarët janë zyrtarisht populli më i varfër në Europë. Ne e dimë vetë se ku jemi dhe nivelin që kërkojmë, por e thonë shifrat se jemi vendi më i lodhur në kontinent.

Varfëria jonë ka lënë pas ndjeshëm edhe vendet e rajonit, që konsiderohen zona më e dobët ekonomikisht e kontinentit. Pra, nuk krahasohemi dot as me vendin më të dobët të Bashkimit Europian.

43.4% e shqiptarëve konsiderohen sot në risk për të qenë të varfër apo të përjashtuar nga jeta sociale. Teksa Instituti Europian i Statistikave vlerëson se në këtë kategori përfshihen vetëm 21.7% e qytetarëve të Bashkimit Europian.

Në këtë shifër të lartë, përfshihen ato familje shqiptare që jetojnë me më pak se 33 mijë lekë të reja në muaj. Kryesisht familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët dhe banorët e zonave rurale që nuk kanë asnjë të ardhur, krahas dërgesave nga familjarët jashtë vendit.

Po ashtu, edhe ato kategori që nuk kanë mundësi për të konsumuar një vakt me mish një herë në dy ditë, për të bërë një javë pushime, për të përballuar një shpenzim të papritur apo ata që vonohen në pagesat e kredisë apo qirasë.

Lind pyetja: si ka mundësi që e vetmja zgjidhje që ne i japim problemit është ikja? A ka ndonjë rrugë tjetër, vallë? Për shembull, të bëhen nja 300 mijë vetë në shesh?