Pas 25-vitesh emigracion në Itali, Zef Gjergji nga fshati Troshan i Lezhës 8 vite më parë vendosi të rikthehet dhe kursimet e jetës ti investojë në vendlindje.
Ai krijoi këtë fermë rrushi, nga i cili prodhon 160 kuintal në vit. Por, pas një viti të vështirë, ai ka vendosur që të lërë gjithçka pas, e të rikthehet atje ku ja nisi.
“Do të kthehem. Jam i detyruar nga halli. Do të iki. E vështirë është, por do ta braktis. S’kam çfarë të bëj,” thotë ai. Thotë se gjatë gjithë këtyre viteve, nuk ka parë asnjë mbështetje nga qeveria.
“Apsolutisht çfarë mbështetje, as nuk bëhet fjalë ajo punë. As nuk na njohin që jemi fermerë. Ndërkohë kemi dhe dokumentacionin e plotë, NIPT-in e fermerit,” tha ai.
Prodhimin e këtij viti ai thotë se do ta dhurojë falas. “Jemi të detyruar, duam apo jo, do të falimentojmë. Do ta lë këshu ose do t’ua dhuroj fshatarëve të mi,” tha ai.
Muaji shtator përkon me vjeljen e rrushit dhe këtë vit në fshatrat e Lezhës, prodhimi është mjaft i lartë, duke i vënë në vështirësi fermerët për sigurimin e tregut. /Oranews