Ish-lojtari i Partizanit merr ftesën për herë të parë nga Shqipëria për miqësoren ndaj Arabisë

2 muaj më parë
Ish-lojtari i Partizanit merr ftesën për herë të parë nga Shqipëria për miqësoren ndaj Arabisë

Jasir Asani është ftuar nga kombëtarja shqiptare për miqësoren me Arabinë Saudite në datën 26 tetor. Burime të besueshme pranë kuqezinjve bëjnë me dije për Newsport.al që stafi teknik ka vendosur të grumbullojë pikërisht një nga futbollistët që shkëlqeu para dy sezonesh në Shqipëri.

Ai luan në Hungari me Kisvardën ku në takimet e fundit ka bërë mjaft mirë. Ndaj trajneri Edy Reja është bindur për t’i dhënë një shans në këtë sfidë miqësore që do të shërbejë për të vëzhguar shumë lojtarë të rinj. Ndeshja Arabi Saudite – Shqipëri është programuar të zhvillohet në datën 26 tetor.

Megjithatë pritet të shihet nëse mëngjërashi do të lejohet nga klubi hungarez për t’iu bashkuar kuqezinjve. Të njëjtat burime tregojnë se në ftesën e Kombëtares, fillimisht ka pasur hezitim nga ana e drejtuesve të Kisvardës.

Duke qenë se ajo periudhë përkon me ndeshje të rëndësishme të ekipit hungarez po shihet mundësia që Asani të lejohet vetëm nëse do të ftohet në sfidën kundër Italisë.

Kujtojmë që dëshira e Jasir Asanit ka qenë gjithmonë e madhe për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Prej vitesh e ka pritur këtë moment duke refuzuar dhe disa herë Maqedoninë e Veriut.

Një lojtar me cilësi teknike si Jasir Asani, padyshim do t’i rrisë vlerat dhe ekipit tonë kombëtar. /Burimi: Newsport.al