“Ju lutem mos ma çoni djalin në Afrikë, do t’i japë fund vetes”, nëna shqiptare i lutet me lot Boris Johnsonit

8 muaj më parë
“Ju lutem mos ma çoni djalin në Afrikë, do t’i japë fund vetes”, nëna shqiptare i lutet me lot Boris Johnsonit

Ministria e Brendshme angleze Home Office vijon të mbyllë në qendrat e dëbimit shqiptarët që arrijnë me gome në Angli dhe po mendon t’i transferojë në Afrikë.

Gazeta Mail on Sunday thotë se edhe ata shqiptarë që kanë mbërritur ditët e fundit me gomone, kanë marrë njoftime se azil kërkimi tyre do të shqyrtohet në Ruanda.

Paçka se Ministria e Punëve të Brendshme Priti Patel dështoi në dërgimin e shtatë azil kërkuesve të parë në Ruanda, ajo nuk ka hequr dorë nga vijimi këtij plani pas marrëveshjes me qeverinë e Ruandës, dy muaj më parë.

Po ashtu kjo gazetë ka mundur të identifikojë shqiptarin të cilin të martën e shkuar u tentua të dërgohej në Ruanda bashkë me 6 azilantë të tjerë.

Ishte Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, që përmes një vendimi të shpejtë ndaloi fluturimin e tyre drejt shtetit afrikan. 26-vjeçarit shqiptar, Mail on Sunday për arsye ligjore nuk ia publikon emrin.

Megjithatë ka publikuar rrëfimin e nënës së tij e cila jeton në një qytet veri të Shqipërisë. “Shpresoj që zoti ta ndihmojë djalin tim. Ai më ka treguar se është më mirë t’i japë fund vetes, se sa britanikët ta çojnë në Ruanda.

“I përgjërohem kryeministrit Boris Jonson për mos ta dërguar në Ruanda. Nëse kjo ndodh unë nuk do ta shoh më djalin”, ka deklaruar nëna e shqiptarit. Sipas të dhënave publikuar nga Home Office, vitin e shkuar përmes gomoneve në brigjet angleze nga Franca mbërritën 838 shtetas shqiptarë.

Gazeta Mail on Sunday thekson në artikull se trafikantët vijojnë të reklamojnë në Tik Tok shërbime trafikimi të shqiptarëve nga Franca në Angli me gomone kundrejt shumave deri në 6.000 sterlina.