Ka ndryshime te Kombëtarja! Çekiçi dhe Bare mungojnë, Reja i zëvendëson me dy mesfushorë të rinj

1 javë më parë
Ka ndryshime te Kombëtarja! Çekiçi dhe Bare mungojnë, Reja i zëvendëson me dy mesfushorë të rinj

Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në kuadër të dy dueleve ndaj Izraelit (24 shtator, transfertë) dhe Islandës (27 shtator, Air Albania) në Nations League, aty ku kemi grumbulluar vetëm një pikë në dy takimet e para.

Endri Çekiçi dhe Keidi Bare nuk do të jenë të gatshëm për këto sfida si pasojë e dëmtimeve. Tekniku Edi Reja i ka zëvendësuar me Arbnor Muçollin (Vejle) dhe Enis Çokajn (Panathinaikos). Muçolli është bashkuar me ekipin e Rejës në stërvitje.

Ndërkohë, në mbrëmje priten të zbarkojnë në kompleksin “Tropikal” edhe Armando Broja, Ivan Balliu dhe Enis Çokaj. Problematike shfaqet edhe gjendja e Myrto Uzunit, i cili realizoi një dygolësh për Granadën në fundjavë.

27-vjeçari nga Berati është stërvitur i diferencuar sot, teksa stafi mjekësor i kombëtares kuqezi po bën maksimumin për ta rikuperuar për duelet me Izraelin dhe Islandën.

Gjithsesi, Uzuni ka luajtur me injeksion në sfidën e fundit me Granadën dhe aktivizimi i tij në Izrael vështirë të ndodhë.

Eljon Toçi, i cili do të qëndrojë te Kombëtarja nëse nuk ia del Uzuni, mund të mos jetë i vetmi lojtar që ka kaluar nga Shqipëria U21 tek ekipi i parë, pasi në ditët e ardhshme mund të ketë të tjerë lojtarë të skuadrës së Bushit që do të “transferohen” te kombëtarja e madhe.