Familja mbretërore britanike vazhdon të ketë përçarje, pasi përveç zisë për largimin nga kjo botë e mbretëreshës Elizabeth, si dhe proceseve të trashëgimisë, i duhet të përballet edhe me kërkesat e Princit Harry dhe Meghan Markle.
Sipas Protothemës, ndërsa pjesëmarrja e tyre në ceremonitë e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth dërgoi një mesazh uniteti, në prapaskenë është ndezur një betejë për titullin, e cila ka zemëruar Sussex-ët, kjo pasi fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet pritet të shpallen përkatësisht princ dhe princeshë nga Mbreti Charles III, por sipas burimeve, ata nuk do të marrin statusin e “Lartësisë Mbretërore”.
Sipas raportimeve, ditët e fundit ka pasur bisedime mjaft të nxehta mes mbretit Charles dhe Sussexëve, të cilët janë “të zemëruar” që fëmijët e tyre nuk do të marrin titullin mbretëror. Në veçanti, Harry dhe Meghan raportohet të kenë thënë se princeshat Beatrice dhe Eugenie, vajzat e Princit Andrew, kanë statusin e “Lartësisë Mbretërore”, edhe pse nuk janë në rrethin e njerëzve që punojnë për familjen mbretërore.
“Harry dhe Meghan ishin të shqetësuar për çështjen e sigurisë. Fëmijët e tyre duke qenë princ dhe princeshë u japin atyre të drejtën për nivele të caktuara të sigurisë mbretërore. Ata kanë qenë të pamëshirshëm që kur mbretëresha humbi jetën” tha një burim për Sun.
Sipas të njëjtit burim, javën e kaluar ka pasur shumë diskutime pasi ata këmbëngulën që Archie dhe Lilibet janë një princ dhe princeshë, por ata janë të zemëruar që nuk mund të marrin titullin e “Lartësisë Mbretërore” dhe kjo sepse ata vetë nuk punojnë si anëtarë të familjes mbretërore.
Dy fëmijët e Sussex kanë të drejtën e titujve princëror pas mbylljes së syve nga Mbretëresha, si pjesë e rregullave të Mbretit George V, të cilat megjithatë kufizonin numrin e anëtarëve të familjes mbretërore që u takon titulli “Lartësia Mbretërore”.
Meghan ka pohuar më parë se Archiet i ishte mohuar titulli për shkak të racës së tij. Kur u pyet nëse ishte e rëndësishme për të që të quhej princ, ajo kishte argumentuar se problemi i saj nuk ishte te “madhështia” e titujve zyrtarë.
Sidoqoftë, Sussex- ët ndaluan përdorimin e titullit të tyre mbretëror pasi u larguan si anëtarë të lartë të familjes mbretërore, duke preferuar të jetonin në Los Angeles dhe ka pasur thirrje për të hequr titujt e dukës dhe mbretëreshës.
Kur Archie lindi në maj 2019, ai ishte i shtati në linjën e trashëgimisë. Megjithëse ishte stërnip i mbretëreshës, ai nuk ishte djali i parë i lindur i një mbreti të ardhshëm, kështu që ai nuk kishte automatikisht titullin e princit.