Ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, thotë se Tirana është kthyer në një katrahurë ndërtimesh që e vë në dyshim statusin e saj si kryeqytet i vendit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu u shpreh se Tirana e sotme nuk përmbush asnjë parametër për të qenë një kryeqytet dinjitoz europian se është jashtë standardeve të banimit.
“Në të ardhmen, qeverive do i duhet të ulet seriozisht të ulen dhe të shqyrtojnë nëse Tirana do të vazhdojë të jetë kryeqyteti i Shqipërisë.
Realisht Tirana e sotme nuk përmbush asnjë parametër për të qenë një kryeqytet dinjitoz europian, se është jashtë standardeve të banimit. Nëse do kthehesha një herë për të jetuar në Shqipëri, nuk do jetoja në Tiranë, që është tërësisht e pajetueshme dhe pabanueshme”, tha Spahiu.
Spahiu thotë se qeverisë i ka dalë kryeqyteti jashtë kontrollit nga ndërtimet. Ai u shpreh se kryeministri bën të paditurin për kullat shumëkatëshe që ngrihen në mes të Tiranës.
“Kjo është padrejtësi që e nxjerr Tiranën jashtë kontrollit, qeverisë i ka dalë kryeqyteti jashtë kontrollit, në qendër të Tiranës.
Rama thotë unë e zbulova, po 200 mijë punonjësit e tjerë të administratës ku ishin, nuk e panë”, tha Spahiu. Ndaj sipas tij, pas kësaj katrahure urbane vihet në dyshim statusi i Tiranës kryeqytet.