La Amerikën pas 14 vitesh dhe erdhi në Shqipëri, Blendi Salaj tregon arsyen e vërtetë

1 vit më parë
La Amerikën pas 14 vitesh dhe erdhi në Shqipëri, Blendi Salaj tregon arsyen e vërtetë

Gazetari dhe moderatori Blendi Salaj beson ende se vendimi për rikthimin në Shqipëri pas 12 vitesh qëndrimi në SHBA ka qenë i duhuri. Duke folur në “Refleksione” në ABC ai shprehet se, edhe kur ka pësuar zhgënjime pas rikthimit, sërish ai do ta merrte atë vendim po të ishte para së njëjtës dilemë.

“Një nga pyetjet që kam marrë më shpesh nga njerëzit është se përse u ktheva nga SHBA, edhe pse unë kam 14 vjet që jam kthyer. Në fakt unë atje isha në një situatë të mirë dhe perspektiva ishte edhe për më mirë. Në Shqipëri do vija e do paguesha shumë më pak. Por vendosa të isha më afër familjes sime dhe të bëja profesionin tim që kisha shumë pasion, radion”.

“E bisedova me shokë e miq, dhe me prindërit. Nëna ime donte të më kishte pranë. Ajo ishte sëmurë dhe ajo donte që të isha me të dhe unë doja vërtet që të mos e braktisja në ato çaste të vështira”, tha Salaj.

Sipas tij, Shqipëria e vitit 2008 ishte më optimiste se sa sot. Ai veçon problemin e korrupsionit, një problem që bën këdo të mendohet gjatë nëse vendos për t’u kthyer në Shqipëri pasi është shkolluar apo pasi ka ndërtuar një jetë larg Shqipërisë.

“Emigrimi shpesh është një akt shprese, për të rregulluar fëmijët dhe se familja e tij nuk do të jetë viktime e humoreve trishtuese, siç ndodh shpesh në Shqipëri. Ka një tjetër ndjesi Shqipëria, por këtë ndjesi të vendlindjes mund ta kuptojë vetëm dikush që ka emigruar. Ata që nuk kanë ikur kurrë nga ky vend nuk e kuptojnë kthimin në shtëpi, në vendin tënd”, tha Salaj në “Refleksione”.

Ai ka bërë thirrje që njerëzit mos të shohin vetëm paratë në bankë, makinën e shtrenjtë apo shtëpinë e shtrenjtë, pasi, sipas tij, ne jetojmë vetemë një herë, dhe pak rëndësi ka se sa para kemi në bankë, apo se sa e shtrenjtë është makina dhe shtëpia. “Unë besoj se jeta është më shumë se kaq dhe falenderoj Zotin që më ka shtyrë drejt kësaj zgjedhjeje”, tha Salaj.