Lajm i hidhur, shkrihet klubi 109-vjeçar që ka bërë histori në futbollin shqiptar

8 muaj më parë
Lajm i hidhur, shkrihet klubi 109-vjeçar që ka bërë histori në futbollin shqiptar

KF Elbasani nuk ekziston më. Klubi që ka fituar pesë trofe të rëndësishëm në futbollin shqiptar nuk ka qenë pjesë e shortit në Kategorinë e Dytë. Të renditur në mesin e tabelës sezonin e shkuar, KF Elbasani pas 109 vitesh nuk do jetë më pjesë e kampionatit.

Vdekja e presidentit Arben Laze ka bërë që klubi të mbetet pa financim, duke shkuar drejt fundit të pashmangshëm. Bashkia e qytetit një sezon më parë formoi Akademia e Futbollit Elbasani, që tanimë është pjesë e së Dytës.

Kujtojmë se KF Elbasani datonte prej 1913 si strukturë futbolli, duke fituar pesë trofe në Shqipëri. Dy tituj kampion në 1983-84 dhe 2005-06, dy Kupa të Shqipërisë në 1974-75 dhe 1991-92 si edhe Superkupën e sezonit 1991-92.

Këtë sezon pjesë e Kategorisë së Dytë do të jetë ekipi Akademia e Futbollit Elbasani, që drejtohet nga Gentian Stojku dhe financohet nga bashkia.

Kësisoj, zhgënjimi që mund të përjetojnë tifozët do të jetë më i vogël. Ndërkohë, në shortin e hedhur dje në FSHF, u bë edhe ndarja e grupeve, ku ashtu si edicionet e kaluara pati “çudira”.

Sopoti dhe Naftëtari, që në kampionatin e fundit ishin pjesë e grupit të Jugut (B), tashmë kanë kaluar në grupin e Veriut (A).