LAJMI I FUNDIT: Çfarë po ndodh? Serbët nisin të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës

4 muaj më parë
LAJMI I FUNDIT: Çfarë po ndodh? Serbët nisin të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviçit. Po ashtu, sipas informacioneve nga terreni, në Rudarë të Zveçanit, është vendosur një bllokadë në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska. Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Ndërkaq, sirena janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim. Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë dëgjuar sirena, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

“Ne nuk do t’iu marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumente e lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ua lëshojmë një fletë-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësojë me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë”, tha më 31 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 31 korrik, se Kosova po thirret në nenin 3 të Marrëveshjes së lëvizjes së lirë që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.