Në pritje të rinovimit zyrtar të kontratës së tij edhe pse akordi eshte gjetur pasi e konfirmoi edhe Maldini, Frederic Massara, nga Rimini, ku ndodhej me rastin e hapjes së merkatos në futboll, ka ripërsëritur hapat e sezonit të fundit triumfal të Milanit: “Nuk ishte çështje intuite.
Është kultura e punës, entuziazmi, unanimiteti, një grup drejtuesish që ndërton skuadrën dhe një trajner që i vendos lojtarët në kushte optimale të rriten. Diçka e bërë në mënyrë të shkëlqyer nga Pioli.
Kemi pasur vështirësi, por të gjithë u përfshinë dhe secili prej tyre dha diçka, edhe ata që luajtën pak. Të gjithë lanë një ‘vulë’. Po mendoj penalltinë e Tatarusanu, golin e Daniel Maldinit në Spezia, rikuperimin e Rebiç, golin e Tonalit në “Olimpico”.
Kjo falë Piolit, ai bëri një punë të jashtëzakonshme dhe ka merituar falënderimet e të gjithëve. Tifozët e Milanit besojnë tek ai”. Më pas, disa fjalë për lamtumirën e Donnarumma dhe zgjedhjen e Maignan si zëvendësues:
“Ishte një fazë delikate, por jo në lidhje me Donnarumma, i cili është një kampion i madh. Kur mbërriti pronari i ri i klubit, kishte një strategji që synonte të riorganizonte gjendjen ekonomike.
Ne duhej të siguronim konkurrueshmërinë pa harruar qëndrueshmërinë. Duhej të bazoheshim te virtyti i domosdoshmërisë. Kjo na shtyu të bënim zgjedhje të vështira, delikate, por jemi të lumtur që gjetëm një portier të jashtëzakonshëm që do të bëjë historinë e Milanit”.