Amabsadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith foli mbrëmë në “Top Story” për Mbretëreshën e ndjerë, Elizabeta II. Ai falenderoi shqiptarët për ngushëllimet e shprehura për humbjen e Madhërisë së Saj.
Elizabeta II ishte e dashur për shqiptarët, aq sa një nga bashkitë e veriut do të ngrejë një bust për Mbretëreshën.Duke komentuar këtë gjest, Alastair King-Smith shprehu mirënjohjen për nderimin që iu bë gjatë këtyre ditëve Mbretëreshës.
Tashmë mbretërimin e ka marrë pasuesi i Mbretëreshës, Karli III. Gazetari Sokol Balla e pyeti amabsadorin nëse ekziston mundësia që Mbreti të vizitojë Shqipërinë.
Të shohim nëse mund ta realizojmë këtë, tha ai. “Mendoj se Mbreti Karl dhe bashkëshortja mbretëreshë, Kamila, ndoshta tashmë kanë krijuar afeksion për Shqipërinë. E kuptoj që Kamila më parë ka arritur të vijë nga Korfuzi për të parë Butrintin.
Dimë që mbreti Karl e do pikturën, e do historinë, por gjithashtu, mendoj se Shqipëria nuk ofron vetëm arkeologjinë, historinë, bukurinë e peizazhit, por në fakt edhe një gjë tjetër që mbreti Karl tashmë e ka kthyer në një pjesë të rëndësishme të angazhimit të tij dhe jam i sigurt se do ta vazhdojë, pra interesin për dinamikat midis besimeve dhe dinamikat e komunitetit.
Dhe sigurisht, Shqipëria ka një përvojë shumë të mirë dhe diçka për t’i ofruar botës. Mendoj se mund të ketë interes, dhe do të shohim nëse kjo do të kthehet në një vizitë mbretërore, por jam i sigurt se ata do të vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat miqësore që kanë ekzistuar për Shqipërinë tek Mbretëresha dhe tek Britania e Madhe, në tërësi”.