Në finalen e Kupës së Greqisë mes Panathinaikos dhe PAOK do të vendosej që të thirrej një arbitër spanjoll, Lahoz. Një vendim i tillë ka sjellë edhe reagimin e Lorenc Jeminit, që i ftuar në “Procesi Sportiv”, e ka krahasuar me futbollin e Shqipërisë të para 15 viteve.
“Foli Artan Hoxha dhe tha se në finalen e Kupës së Greqisë erdhi një arbitër spanjoll. Më kujton Shqipërinë e para 15 viteve. Të mos arrish dot që një kompeticion vendas, të marrësh një arbitër tëndin, e shikoni sa mbrapa ka shkuar Greqia. Ne e kemi bërë këtë para 15 viteve. Nuk gjejnë dot arbitër se nuk kanë”, tha Jemini.
Teksa po diskutohej për masat e marra, është prekur edhe tema e kontrollit të rreptë që bëhet në vendin tonë për të garantuar sigurinë maksimale. Frika më e madhe e Artan Hoxhës është mënyra sesi do t’i përgjigjet policia shqiptare dy tifozerive kundërshtare.
“UEFA ka organizuar finale edhe në stadiume më të vogla, në 2018 ishte Superkupa e Europës mes Realit dhe Atletikos në Tallin të Estonisë, në një stadium me vetëm 12.000 vende. Ajo që më ra në sy sot, që në aeroport, po vinin tifozë nga Itali kryesisht në moshën mbi 60 vjec, me bluzë dhe fanellë të Romës.
Po vinin para pasi u hap panik që do të ishte e vështirë në Shqipëri për hotelet. Ne po e përdorim si reklamë, por të enjten do merret vesh si do të shkojë historia.
Frika e madhe e imja është te kontrolli dhe vonesat. Pashë në Rinas sot të 13 portat e hapura dhe ajo e emergjencës, me policinë që punonte të mos i vononte njerëzit. Ne mundohemi, por ngaqë kemi këtë frikën dhe jemi inferiorë me të huajt, kalojmë në masat ekstreme. I trembem mënyrës së reagimit të forcave tona policore që nuk janë mësuar me raste të tilla, duhet të kenë vetëpërmbajtje”, tha gazetari Artan Hoxha.