Hakan Calhanoglu pa filtra për Interin, Simone Inzaghin, Milanin dhe për marrëdhënien me Ibrahimovic, sidomos pas mesazh-ngacmimit të suedezit gjatë festimeve për Scudetton e kuqezinjve.
“Ibra nuk është 18 vjeç, është 40 vjeç: nuk do të bëja gjëra të tilla në atë moshë. Këtë vit praktikisht nuk luajti, nuk kontribuoi në titull. I pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Nuk më intereson.
Ai ka shkruar edhe për mua në librin e tij, duhet t’i shkruante këto gjëra përndryshe do të kishte qenë bosh. Nuk do t’i përgjigjem”, thotë mesfushori turk për Tivibu Spor. Më pas ai i rikthehet ndryshimit të fanellës verën e kaluar: “Shumë e vështirë, por ishte shansi im për të shkuar në ekipin kampion italian.
Më pas fitoi ish-skuadra ime dhe u duk se ishte faji im. Mendoj se dhashë një kontribut të mirë me asistime dhe golat, mbështetja e tifozëve më ndihmon shumë: Kam luajtur për katër vite me Milanin dhe asnjë tifoz nuk e ka bërtitur emrin tim siç ndodh sa herë që ngrohem para ndeshjes me Interin”.
Calhanoglu shumë i drejtpërdrejtë kur flet për derbin e rikthimit në kampionat: “Interi është shumë më i fortë se Milani, por ajo ndeshje ndryshoi në minutën e 75-të, 1-0 për ne, pasi unë dhe Perisic u zëvendësuam. Trajneri kontribuoi në humbje, unë i thashe edhe atij”.
Por më pas fjalë për Inzaghin: “Një person i mirë, ai e kupton futbollin dhe është shumë afër ekipit. Këmbëngulja e tij ishte e rëndësishme për vendimin tim për të zgjedhur Interin”.