Më në fund! Papa bën hapin tjetër në karrierë, s’ka më justifikim për Rejën

9 muaj më parë
Më në fund! Papa bën hapin tjetër në karrierë, s’ka më justifikim për Rejën

Istanbulspor është “dashuruar” me lojtarët shqiptarë, pasi numri i lojtarëve shqiptarë te skuadra turke mund të shkojë në 5-së.

Kujtojmë se në organikën e tyre janë Eduart Rroca, Kristal Abazaj, Valon Et’hemi dhe Jetmir Topalli, teksa Enriko Papa është shqiptari i fundit që ka rënë në radarët e Istanbulspor.

Papa ka mbyllur aventurën me Botosanin në elitën e kampionatit rumun teksa tashmë konsiderohet si një futbollist i lirë për të zgjedhur vetë të ardhmen e tij.

Ish-mesfushori i Tiranës dhe Bylis, prej vitit 2018 ishte pjesë e Botosanit duke u shndërruar në një lider të skuadrës duke iu besuar edhe shiriti i kapitenit.

Papa prej kohësh pret ftesën e Edoardo Rejës te Kombëtarja, por deri tani nuk i është dhënë asnjë shans, qoftë edhe për një ndeshje miqësore.

Tani që Papa do luajë në nj kampionat ku aktivizohet një pjesë e mirë e Kombëtares, a do ta grumbullojë Reja apo duhet të presë ende për një ftesë?