Miqësorja ndaj Arabisë! Zbulohet plani që ka Shqipëria, ja lojtarët që kanë marrë ftesën

4 muaj më parë
Miqësorja ndaj Arabisë! Zbulohet plani që ka Shqipëria, ja lojtarët që kanë marrë ftesën

Shqipëria pas njohjes së shortit të kualifikueseve të Europianit, ka përcaktuar për të zhvilluar një takim miqësor me Arabinë Saudite, i cili do të luhet më datën 26 tetor në Abu Dabi. Në fakt, data që është zgjedhur nuk është zyrtare nga UEFA dhe praktikisht Kombëtarja do të vuajë mungesën e shumë lojtarëve që do të jenë të angazhuar me klubet respektive dhe një pjesë tjetër janë të dëmtuar ose mund të jenë në fazë rikuperimi apo të sapokthyer e pa minuta në këmbë.

Siç dihet, Broja, Asllani, Hysaj, Kumbulla do të jenë duke luajtur në ndeshjet e Europës, ndërkohë edhe disa nga futbollistët e tjerë të përfaqësueses mund të jenë të angazhuar me ekipin e tyre për shkak të ndeshjeve të ngjeshura që kampionatet kanë vendosur, si pasojë e nisjes së kampionatit botëror. Ndërkohë, grupi do të jetë i plotë për miqësoren ndaj Italisë më 19 nëntor në “Air Albania”, pasi edhe kampionatet janë stopuar.

PLANI- Përpara kuqezinjtë kanë miqësoren me Arabinë Saudite, ku trajneri Edi Reja, i cili me shumë mundësi do të jetë në detyrë, kjo edhe për faktin se kontrata i përfundon më 26 nëntor, do të ketë mundësinë për të provuar diçka ndryshe në për faqësuese. Shpesh, kur shikojmë disa lojtarë shqiptarë që paraqiten mirë në Europë ose shkëlqejnë, ne dhe atyre, mendja na shkon tek ekipi kombëtar.

Gjatë kualifikueseve të Botërorit apo në Ligën e Kombeve, Edi Reja nuk ka rrezikuar me emra të rinj, ndonjë tek-tuk në miqësoret me Gjeorgjinë apo Estoninë, por ndoshta ndeshje si kjo me Arabinë, mund të jenë një shans i madh që dikush të provojë në sytë e italianit se e meriton të veshë atë fanellë. Edhe pse shumica e lojtarëve kuqezinj luajnë në nivel të lartë, sërish disa futbollistë për role specifike duhet të gjenden.

LINJAT E DYTA- Nga sa mësohet, deri tani Ardit Toli dhe Jasir Asani kanë marrë një ftesë për të qenë pjesë e Shqipërisë në këtë miqësore. Por shumë emra janë në skenë, nga rikthimi i Armando Sadikut, i cili po kalon një formë të mirë në Spanjë apo ndoshta deri te lojtarët e Ballkanit, të cilët kanë dalluar në Europë si Gripshi apo Korenica.

Mundësia do të jetë edhe për lojtarët e Superiores, me Xhixhën që mund të veshë për herë të parë fanellën e Kombëtares A, duke qenë se forma që po kalon është nga më të mirat në karrierën e tij. Mund të thuhen edhe shumë emra të tjerë nga kampionati vendës apo edhe nga ligat europiane. Ernest Muçi dhe Eljon Toçi janë lojtarë të talentuar që mendohet të jenë e ardhmja e Kombëtares shqiptare. /Panorama Sport