“Mirupafshim, Bajram! Mos hajde më në Shqipëri. Këtu do ngelë vetëm Rama me Spiropalin”

1 javë më parë
“Mirupafshim, Bajram! Mos hajde më në Shqipëri. Këtu do ngelë vetëm Rama me Spiropalin”

Në whatsapp, afër mëngjesit, më erdhi një mesazh: “Sapo zbrita në Ancona, bashkë me çunat, gruan dhe vajzën. Të përshëndes. Bajrami.” Nuk e kam shok të ngushtë, as mik të vjeter. Jemi njohur dy muajt e fundit në një librari. Unë për të blerë një libër, ai për një zgjidhje interesante me librashitësin. Merrte botime me qira.

Duket si çudi, por nga që ishte pa punë zgjidhte atë që i pëlqente, e paguante me çmim të plotë e pasi e lexonte, e kthente të padëmtuar. Atëherë shitësi i kthente lekët, mbante veç 100 lekë të reja. Kaq ishte qiraja.

Në një nga ato ditë u ulëm te një kafe pranë. Më tha se qe nga Dukati, u shenjua familje ballistësh dhe ashtu u trajtua vite e vite. Vuajti për shkollim, për punë dhe për martesë. Tamam si shprehja, donim të tjera, na donin të tjera, u martuam me të tjera, qeshte. I ra bretku në kooperativë.

Më pas erdhi përmbysja e Bajrami ia nisi shkollës. U bë ekonomist dhe filloi punë në bankë. U rritën fëmijët. Çunat nuk i la të iknin jashtë. Po bënin ca punë në qytet. Me mundim, por fitonin diçka. Më tej erdhën bijtë e komunistëve. I hoqën nga puna. Bajramin të parin, pastaj gjoba biznesit të çunave.

U përpëlit ca vite, ashtu duke punuar me orë e ditë deri sa i dha zgjidhje. Një motra e vet në Napoli ia gjeti anën t’u nxirrte leje pune të gjithëve. E nuk e bëri dysh. Hipi në traget e iku si familje. “Do kujtoj Çajld Haroldin”, më tha. “Kur të jem larg brigjeve do recitoj si ai se asgjë nuk më bën më të kthehem”.

Dje u largua një familje komplet. E braktisi atdheun. Fluturoi për bukën e gojës. Të tjera po presin varg, si hudhrat lidhur në spango. Faji i vetëm: “Nuk ishin mbështetës të qeverisë. Ishin kundërshtarë të komunizmit dje dhe të neokomunistëve sot.”

Ikja e Bajramit më lëndoi. Se ishte i vuajtur, i ditur, punëtor dhe ne si shoqëri qemë në borxh ndaj tij. Mesazhi që la qe dhimbja. Ngrita kokën atë çast e në tv lexova: ”Ulet rritja ekonomike. Nga 4% shkon në 2,2%”. As borxhet nuk do shlyejmë dot me kaq zhvillim. Mbase nesër të gjithë do i bashkohemi Bajramit. Në atdhe do ngelet veç Rama me Spiropalin. E do ndjehen keq. Shumë keq. Se nuk do kenë kë të shajnë e për kë të shpifin. A do jetojnë dot ashtu?! (Agim Xhafka)