“Mu prenë gjunjët kur më thirri Dhimitër Anagnosti”, Mehdi Malkaj tregon skenën te “Përrallë nga e kaluara”

8 muaj më parë
“Mu prenë gjunjët kur më thirri Dhimitër Anagnosti”, Mehdi Malkaj tregon skenën te “Përrallë nga e kaluara”

Historia e aktorit të mirënjohur, Mehdi Malkaj, është ajo e një djali të vuajtur por me shpresa e ëndrra të mëdha. Mjafton të përmendim që ka realizuar një prej këtyre ëndrrave, që ishte shkollimi për aktor, pas 10 vitesh nga dita që la shkollën e mesme.

Me thjeshtësinë e një djali nga Memaliaj, që ka arritur çdo gjë me punë, ai rrëfeu kohë më parë për Albanian Free Press, marrëdhënien me dijen, profesorët, regjisorët si dhe rolet që e bënë atë të njohur për publikun. Me adhurim për teatrin dhe aktorët e me keqardhje për vlerësimin e dobët të tyre nga shteti.

Nga një realitet në një qytet të vogël erdhët në Tiranë. Ndjetë boshllëk? Kur erdha në arte e kuptova që isha me mangësi në kulturë. E kuptova me dhimbje por isha me këmbë në tokë. Kur erdha në orën e parë pata fat se kisha mësim me profesor Adriatik Kallurin. Isha pajisur me stilograf e bllok. Ai na pyeti secilin nga ishim e ç’kishim bërë. “Jam nga Memaliaj. Ku nuk kam punuar, mbi tokë e nën tokë, shofer, punëtor krahu, kam 13 vite pune.”-i thashë.

“Ti je miku im. Në daç mëso në daç mos mëso, i ke dhjetë lëndët e mia se ti ke paguar sigurimet për 13 breza.”-mu përgjigj ai. Unë kapa rreshtin e parë të leksionit por më pas humba. Ai shqip fliste e nuk kuptova asgjë. Mbaroi mësimi e i thashë: “Më the që jam miku juaj. Kam ardhur të mësoj por jo të marr dhjetat. Fole një orë e gjysmë e nuk kuptova asgjë.”

Më mori e ikëm tek liqeni lart e nga ora 11 paradite e deri në 12 të natës ndenjëm aty e unë i tregova jetën time, tragjike por të bukur. “Ti Mehdi do fillosh të lexosh revistën Yllka, Fatosi, Pionieri se ty të mungon fëmijëria. Do të lexosh revistat artistike. Të paktën do lexosh të paktën 50 faqe letërsi serioze në ditë. E këtë do të ta siguroj unë. Duhet të lexosh Balzak, Tolstoi, Heminguei, gjigantët e njerëzimit.”

Unë i hyra seriozisht kësaj. Nuk flisja në leksion fare. Kisha shumë gjëra në kokë por nuk i kisha të organizuara. Një ditë, në fund të vitit të dytë, më erdhi goja e fillova të flas e nuk pushova më.

Sepse e mbushe magazinën… Po. U bë dhe inventari madje. U bë dhe seleksionimi e më erdhi goja. Në lëndët e tjera ishim të barabartë. Por kisha mangësi. “Ti Mehdi je si një tren që ke lokomotivën dhe 20 vagonë të ngarkuar plot por kur ikën lokomotiva jote, nuk merr vagonë me vete pas se të mungojnë lidhëset, pra teoria. Shokët e tu kanë lokomotivën e një vagon por kur ikin e marrin atë vagon. Ata bëjnë punë të dobishme.”-më tha profesor Kallulli dhe ashtu ndodhi.

Filmi që ju bëri të njohur, “Përrallë nga e kaluara”, si ndodhi që morët pjesë? Anagnosti është emër i madh. Vjen Ndriçim Daja e më thotë se më kërkonte Anagnosti. Mu prenë gjunjët. Vajta në Kinostudio. “Ti je ai. Do vish në Gjirokastër kur të të kërkojmë”-më tha shkurt. Nuk e dija fare çfarë më priste. Por kur do xhironim, ai atëherë pinte duhan të dredhur e më tha: “Dëgjo Mehdi. Çdo fshat e çdo qytet e ka një nga këta.

Këta janë si mazhordomë, hyjnë e dalin ku të duan, nuk u thotë njeri gjë. Po t’i largosh nga dasma të prishin dasmën, po ti largosh nga varrimet i bëjnë njerëzit të qeshin. Kije këtë parasysh. Ti hyn e del si të të dojë qejfi ty. Roli më vjen keq sepse u shkurtua. Por u pëlqye shumë në kinostudio në premierë dhe unë u gëzova shumë dhe e mbajta fort në zemrën time “Milo budallanë”.