Zhvillime të papritura po ndodhin në kampin e dardanëve. Sipas informatave të siguruara nga burime të ndryshme, kapiteni i Kosovës U21, Edvin Kurtulus, i cili së fundmi u ftua nga Alain Giresse për ndeshjet e qershorit, e ka njoftuar atë dhe stafin teknik të tij se po mendon t’i bashkohet Suedisë.
Gojëhapur, mosbesues dhe të mërzitur i ka lënë trajnerët e stafit teknik të Kosovës lajmi se Edvin Kurtulus po mendon t’i bashkohet kombëtares suedeze.
Gjithçka ka marrë formë gjatë ditëve të fundit, pasi Kosova e ka publikuar listën e saj ku ishte i përfshirë edhe ai.
Alain Giresse e kishte futur në planet e tij mbrojtësin e shpresave dardane. Meqë këto ishin tri ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator që për shkak të moshës Kurtulus mund t’i luante me shpresat e drejtuara nga Albert Bunjaki, Kosova mendoi që ta ftonte në gjirin e kombëtares seniore, në mënyrë që ta përfshinte në skemat e Giresse që tani.
Një zgjedhje e tillë iu kushtëzua përzgjedhësit Giresse marrë parasysh faktin që forma në ngritje e Kurtulusit nuk ofronte alternativa tjera.
Ai është shndërruar në pikë referimi për ekipin e Hammarbyt qëkur iu bashkua atij gjatë këtij sezoni që sapo ka nisur në Suedi. Atij iu deshën vetëm tre ndeshje fillestare me Hammarbyn për ta bindur trajnerin e tij, Cifuentes, që ta inkuadronte si titullar të paprekshëm në vijim të kampionatit.