Pushime në struktura luksoze, mesatare apo ekonomike? Nuk ka rëndësi çfarë plani keni këtë vit, pasi çmimet do të jenë të rritura për të gjitha kategoritë.
Strukturat akomoduese parashikojnë një rritje 10%, për të përballuar kostot e shtuara të energjisë, ushqimeve, naftës dhe pagave të rishikuara të stafeve.
Ndërkohë që edhe ata që do të duan variantin ekonomik nuk mund të shpëtojnë nga kostoja e rritur e naftës dhe ushqimeve, sapo të dalin nga dera e shtëpisë. Tur-operatorët gjykojnë se, pavarësisht çmimeve, planet e pushimeve të verës ka pak gjasa të ikin nga kalendari i familjeve, të cilat do të përshtatin gjithçka sipas buxhetit, nga net-qëndrimet tek udhëtimet e fundjavave.
Ende pa nisur mirë sezoni veror, në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë faturat “tradicionale” të çmimeve në restorante e hotele, kryesisht në zonën e Jugut, shoqëruar me pakënaqësi. Pavarësisht zemëratës njëzëri, argumenti i përvitshëm për atë që ndodh në vend është ai i vendosjes së çmimit nga kërkesë-oferta.
Për aq kohë sa ka njerëz të gatshëm të paguajnë në nivele të tilla çmimesh, do të ketë edhe ofertë. Këto përgjithësisht janë raste të hasura tek-tuk, me çmime me nivele ekstreme, në raport me mesataren e përgjithshme.
Opsionet më të lira nuk mungojnë gjithashtu. Por viti 2022 parashikohet të jetë “më i kripur” në çmime, për të gjithë ata që do të duan të pushojnë gjatë verës, pasi rritja e çmimeve ka ardhur në disa segmente njëkohësisht, duke e bërë thuajse të pamundur amortizimin e plotë të tyre, pa dhënë efekt te kostoja finale.