Nexhmije Hoxha u drodh nga frika, përjetimet në momentin që rrëzuan bustin e Enverit në Tiranë

8 muaj më parë
Nexhmije Hoxha u drodh nga frika, përjetimet në momentin që rrëzuan bustin e Enverit në Tiranë

Tri telefonata nga Tirana. Ndërkohë, unë ndihesha disi e izoluar nga ato që po ndodhnin në Tiranë. Por të nesërmen, paradreke, më kërkoi në telefon Ramiz Alia dhe u interesua sesi ishim rregulluar. E falënderova, por nuk e zgjata dhe as e pyeta për situatën.

Pas pak, më kërkoi në telefon Hekuran Isai, por këtij nuk i dola. U thashë djemve: “I thoni, është lart, i dhemb koka”. Nuk mund t’ia falja qëndrimet, jo thjesht të lëkundura, por dhe të dyshimta, që po mbante ai ato ditë…

Nga: Nexhmije Hoxha – Më vonë, më mori në telefon ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi. Edhe ky më pyeti si ishim rregulluar. E falënderova për interesimin, i fola për kujdesin që po tregojnë drejtuesit e repartit ushtarak dhe për trajtimin me ngrohtësi nga ana e tyre.

Që ky më mori në telefon, më erdhi mirë. Me të isha takuar vetëm në ndonjë mbledhje të KQ dhe më kishte lënë përshtypje të mirë në një takim të rastit, në sallën e pushimit të shokëve të Byrosë Politike. Në këtë takim, që e kam përshkruar në këto shënime, ai tha se nuk do të bënte çap, në qoftë se nuk firmoste kryetari i Shtetit vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjithashtu, kisha dëgjuar që në ballafaqimin që u bë në Ministrinë e Mbrojtjes mes Ramiz Alisë dhe oficerëve, që i kërkonin llogari, këta të fundit u solidarizuan me ministrin e tyre, me të cilin, më parë, kishin pasur disa kontradikta. Nuk ndodhi kështu në ballafaqimin që u bë dhe në Ministrinë e Brendshme, ku punonjësit e Sigurimit dhe të tjerë iu kundërvunë Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

Një ditë më pas, vendosa dhe zbrita në Tiranë. Shkova drejt e në zyrën e Ramiz Alisë. E bëra këtë, sepse dëgjova që shumë nga ata që mblidheshin në ato mitingje në mbrojtje të Enverit, donin të vinin në Tiranë për të ngritur përsëri monumentin e Enver Hoxhës aty ku kishte qenë dhe kërkonin dorëheqjen e Ramiz Alisë, duke e cilësuar tradhtar.

Nuk mbaj mend se kush më njoftoi për këtë apo nëse u tha nga komentatorët e televizionit. Por ky informacion më vuri në mendime dhe më shqetësoi. Si të vinin në Tiranë? A e dinin ata se punëtorët e Tiranës, në masë, dhe rinia e shkollave, u ngjitën në Qytetin Studenti, se “kështu u porositën” apo për kuriozitet, kur një pjesë e studentëve e pedagogëve qenë futur në grevë?

Po monumentin e shkatërruar (a le të ishte i pa shkatërruar) ku do ta gjenin? Nën mbrojtjen e kujt do ta rivendosnin atë? Të policëve të Hekuran Isait apo të do vinin vetë të armatosur? Pezakët trima, aq të lidhur me pushtetin popullor, me kujtimin e Enverit e të Babë Myslimit, (siç kisha dëgjuar) nuk kishin pranuar t’i përgjigjen thirrjes së qeverisë për të dërguar në Tiranë një batalion për ruajtjen e rendit.

Kishin thënë: nuk mund të gjakosemi me popullin e Tiranës. U fol edhe që do të silleshin forca nga Skrapari në Kavajë. Nuk e di a u sollën, por në Kavajë egërsia e të rebeluarve antikomunistë, kishte arritur kulmin dhe andej ishin bërthamat e bandave shkatërruese.

Siç thashë më lart, prej atyre që donin të vinin në Tiranë kërkohej edhe dorëheqja e Ramiz Alisë. Por kë mendonin ata në vend të tij? Unë isha krejtësisht e bindur që asnjë nga shokët e Byrosë Politike ose të KQ nuk ishte i përgatitur dhe i pranueshëm të vihej në krye të Partisë e të Shtetit. Kush? Adili, Manushi, Hekurani, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi? Kush? Apo do të dilte Kryetari nga vetë kjo Lëvizje popullore?

Për të gjitha këto, mendoja se nuk duhej lejuar ardhja e atyre forcave në Tiranë. Më dukej se nuk ishte më koha kur Lëvizjet e masave nxirrnin kryetarët e tyre popullorë. Edhe atëherë, këta nuk dilnin brenda një dite, aq më pak, në kohën tonë, kur po zhvilloheshin ngjarje të bujshme dhe të rrëmujshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet socialiste, që nga Bashkimi Sovjetik dhe në gjithë Europën Qendrore e Lindore, nën trysninë dhe me punën minuese të kapitalit dhe të reaksionit antikomunist ndërkombëtar.

Duke rrahur e stërrahur këto mendime në kokë, erdha në konkluzionin se nuk mund të rrija e mënjanuar, me familjen time. Si kuadër i vjetër i Partisë dhe si shoqe lufte dhe pune e Enverit, për afro 45 vjet, duhej të bëja diçka që të mos ndodhte një e keqe më e madhe, të mos derdhej gjak, vetëm pse kishte nga ata që donin të vinin në vend Monumentin e Enverit. Kjo duhej shmangur me çdo mënyrë, sepse ishte një kohë dhe situatë, kur luhej me të ardhmen e fitoreve dhe me fatin e popullit tonë.

Pa hezituar, lidha një shall në kokë, vura gjyslyke të zeza dhe dola nga shtëpia. I thashë oficerit shoqërues, që e drejtonte vetë makinën, të niseshim për në Tiranë. Gjithë rrugës kisha një ndjenjë të çuditshme për çka po ndodhte. Shkova drejt e në KQ të Partisë. I telefonova Ramiz Alisë dhe shkova në zyrën e tij.

Ramizi dukej shumë i mërzitur. Takimi nuk qe i përzemërt e shoqëror, si më parë. Mbi tryezën e tij, në kundërshtim me zakonin e tij që nuk e mbante skrivaninë të ngarkuar me shumë dosje, ishin vandakë letrash, që, siç dukej, ishin ato që i kishin ardhur nga mitingjet popullore në rrethe.

Pa biseduar për çfarë po ndodhte, unë hyra drejt e në temë, duke i thënë: “Kam ardhur si komuniste e vjetër, si anëtare e KQ, mund të them edhe si bashkëshorte e Enverit, për t’ju kërkuar “çfarë mund të bëj unë, sa mund të ndihmoj e të ndikoj që në këto situata kaq të acaruara të mos shkohet në gjakderdhje, në emër të mbrojtjes së monumenteve të Enverit”.

I thashë se jam gati të shkoj në disa rrethe, si Gjirokastër, Vlorë e në ndonjë tjetër, të bisedoj me organizatorët e këtyre mitingjeve, të shoh ç’kërkojnë dhe ç’mendojnë për të ardhmen, ç’plane kanë, t’i sqaroj për situatën e veçanërisht se ç’po ngjet në Tiranë”.

Ramizi, po më dëgjonte i menduar dhe pastaj, me zë të mekur, më tha: “Kjo është e vështirë të bëhet, edhe në këto rrethe ka grupe kundërshtare të egërsuara dhe mund të ndodhë ndonjë gjë e papëlqyer…”.

Pas këtyre fjalëve, ra një heshtje. Ai kishte të drejtë. Parullat, në disa rrethe, si Kavajë dhe Shkodër, ishin më të rënda dhe kërcënuese ndaj meje, sesa ndaj atij. Atëherë, i propozova që nga çdo rreth, ku janë zhvilluar këto mitingje, të thërriten disa nga organizatorët dhe përfaqësues më të zjarrtë të tyre që t’i dëgjojmë e të sqarohemi me ta. Ramizi e miratoi këtë propozim dhe mori masa për ta realizuar këtë.

U ndava me të dhe u largova, por nuk u ngjita lart në Dajt, te fëmijët. E kalova ditën dhe fjeta te Vila nr. 4, mbi liqenin artificial të Tiranës. Aty kishim ndenjur ca muaj dhe shkonim shpesh me Enverin, për ndonjë pushim të shkurtër, sepse kishte një pamje çlodhëse.