Partizani triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Kukësit në transfertë, megjithatë më shumë se për lojën në fushë, ndeshja tërhoqi vëmendjen me një incident të rëndë në minutën e 14’ të saj.
Ishte momenti kur sulmuesi i të kuqve, Tedi Cara shënoi golin e avantazhit për kryeqytetasit, pro gjatë festimit u godit me shishe nga tribuna dhe pësoi të çara në fytyrë, aq sa u detyrua të lërë fushën e lojës i zëvendësuar nga Cvetanovic.
Goditja ishte shumë pranë syrit dhe rrezikoi t’i dëmtojë edhe shikimin sulmuesit kryeqytetas, teksa ky është një rast i përsëritur në Kategorinë Superiore këtë sezon, pasi që në javën e parë ishin po tifozët e Kukësit që goditën Taulant Seferin.
E nëse atëherë organet kompetente e kaluan ngjarjen me vetëm një gjobë 100 mijë lekëshe, tifozët nuk vunë mend dhe bënë të njëjtën gjë ndaj Carës, duke rrezikuar shëndetin e futbollistit.
Ndërkohë, klubi i Kukësit ka reaguar në faqen zyrtare, ku ka dënuar ashpër ngjarjen e ndodhur, i ka kërkuar zyrtarisht ndjesë sulmuesit Tedi Cara dhe ka ftuar policinë që të identifikojë dhe dënojë autorin.
