Një super lojtar për Kombëtaren nga Gjermania

8 muaj më parë
Një super lojtar për Kombëtaren nga Gjermania

Futbollistët me origjinë nga vendi ynë prej disa vitesh po spikasin në futbollin europian. Të shumtë janë fëmijët e emigrantëve shqiptarë që tashmë po bëjnë emër në sportin më popullor në botë. E sot do ndalemi tek një emër i veçantë, që ndoshta në vendin tonë njihet pak, por që në të ardhmen pritet të dëgjohet shumë për të.

Quhet Armand Musai dhe i përket ditëlindjes 16.10.2004. Pra ende një 17-vjeçar dhe në hapat e parë të futbollit profesionist që duket se ka nisur suksesshëm për djaloshin me origjinë nga Durrësi. I rritur mes vendeve si Belgjika dhe Hollanda, ai ka marrë shumë nga traditat e futbollit të vendeve të Beneluksit. I spikatur shumë në driblimet ndaj kundërshtarëve dhe po ashtu për shpejtësinë e tij në krah, Musai ka rënë në sy për cilësitë e tij.

Ai aktivizohet kryesisht si sulmues krahu, ku luan me të dy këmbët. Por gjithashtu edhe si mesfushor apo mbrojtës i linjave, që plotësojnë akoma edhe më tepër cilësitë e tij të futbollit. Eksperiencat e futbollit për durrsakun kanë qenë siç e thamë më sipër me Exelsior Eseen në Belgjikë apo edhe me skuadrat e RBC dhe Unitas në Hollandë.

Së fundmi ai ka luajtur edhe në Gjermani me ekipin e Borussia Lindenthal Hohenlind dhe Deutz 05. Ndërsa në edicionin e ri ka kaluar tek skuadra e parë e SC Leverkusen. Edhe tek skuadra gjermane ai ka rënë menjëherë në sy me performancën e tij, teksa mediat lokale i kanë bërë jehonë një 17-vjeçari që po mahnit tek ekipi i parë i SC Leverkusen.

Tashmë ai mund të tentojë për herë të parë futbollin si profesionist dhe duket se fillimet do jenë të mbara për “wingerin”. Musai po ashtu ka qenë pjesë e grumbullimeve të shpeshta të kombëtareve tona të moshave. Fillimisht me U-15 në kohën kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Eqerem Memushi apo edhe me U-17 kur drejtoheshin nga Elvin Beqiri. Tashmë ai patjetër që pret edhe një ftesë nga kombëtarja U-19 e drejtuar nga Armando Cungu. E duke parë zhvillimin e tij si futbollist me siguri ftesa për durrsakun do vijë shumë shpejt nga ana e kuqezinjëve dhe trajnerit shkodran.