Nxënësit e kolegjit turk kanë dalë sot në protestë. Ka reaguar edhe Rama duke u mësuar për çfarë duhet të protestojnë

6 muaj më parë
Nxënësit e kolegjit turk kanë dalë sot në protestë. Ka reaguar edhe Rama duke u mësuar për çfarë duhet të protestojnë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, para ministrisë së Arsimit, nxënësit e kolegjit turk “Mehmet Akif” kanë dalë në protestë, ku kërkojnë rishikimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollës ku ata studiojnë. Nga ministria e Arsimit, ata janë duke u zhvendosur drejt Kryeministrisë.

Kolegji “Mehmet Akif” ka rezultuar si gjimnazi më cilësor gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri. Ky është vendimi i dytë kundër këtyre shkollave gjatë ditëve të fundit. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e një kopshti pjesë e kolegjeve “Turgut Ozal”.

Në vendimin e këshillit të ministrave bëhet me dije se institucioni arsimor ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferim në një institucion tjetër dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator.

Për prøtestën ka reaguar edhe Rama. Thotë se nxënësit duhet të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje, Ministria e Arsimit ka zbatuar ligjin.

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”, shkruan Rama në një postim në Twitter.