Aktori i madh i Hollivudit, me origjinë shqiptare, Jim Belushi, do të vizitojë Tiranën muajin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi me sipërmarrës të huaj në Tiranë.
Ai u shpreh se ky është moment i shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar. “Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë”.
“Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artistike. Ne sapo organizuam Festivalin e Dua Lipës në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai i është shqiptar”, u shpreh Veliaj.
Ai tha gjithashtu se aktivitetet e shumta në kryeqytetin shqiptar kanë krijuar një energji pozitive që vihet re nga kushdo që po e viziton Tiranën në muajt e fundit.
“Ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa të tjerë, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri dhe një dozë e madhe kreativiteti”, tha Veliaj.